Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do t’u kërkojë vendeve anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të PBB-së. Këtë e raportojnë burime të informuara për Financial Times, i cili përmend gjithashtu synimin e Trump për të vazhduar dhënien e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Në qershor do të mbahet takimi i ardhshëm i liderëve të Organizatës, ndërsa aleatët tashmë po diskutojnë mundësinë e rritjes së objektivit në 3%. Kjo ka ngjallur shqetësime të shumta, sidomos për disa kryeqytete, për shkak të sfidave ekonomike dhe fiskale që do të kërkonte kjo nismë.
Rikthimi i Trump
Vendet kryesore evropiane aleate të NATO-s – mes tyre Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia – gjatë samitit të disa ditëve më parë diskutuan me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbi mënyrën se si kontinenti duhet të përshtatë politikat e tij të mbrojtjes për t’iu përgjigjur rikthimit të Trump.
«I kam thënë Bashkimit Evropian se duhet të kompensojnë deficitin e madh me Shtetet e Bashkuara duke blerë në mënyrë masive naftën dhe gazin tonë. Përndryshe, do të ketë tarifa doganore pa fund!», shkruan presidenti i zgjedhur në Truth.
Marrëdhëniet SHBA-BE
«Faktet janë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë ekonomi thellësisht të integruara», u përgjigj një zëdhënës i Komisionit Evropian. «Jemi të gatshëm të diskutojmë me Donald Trump për mënyrën se si mund të forcojmë bashkëpunimin tonë, përfshirë në sektorin energjetik. Ka tashmë një nivel të lartë komplementariteti në marrëdhëniet tregtare midis BE-së dhe SHBA-së».
Trump ende beson se Ukraina nuk duhet të hyjë në NATO, por – sipas një prej burimeve të FT – ai mendon se për t’i dhënë fund konfliktit është e nevojshme që të furnizohen armë për Kievin pas një armëpushimi, gjë që do të garantonte një rezultat të «paqes përmes forcës».
Përfshirja e SHBA-së është e domosdoshme
Pas takimeve në Bruksel midis Bashkimit Evropian dhe NATO-s, vetë Zelensky deklaroi se angazhimet evropiane për të mbrojtur Ukrainën «nuk do të ishin të mjaftueshme» pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.