1767452659_AP25262755599124.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata të forta lidhur me operacionin e SHBA-ve në Venezuelë, ku u kap presidenti venezuelian Nicolás Maduro. Në një intervistë për Fox News, Trump zbuloi detaje të reja mbi aksionin, duke theksuar se operacioni ishte planifikuar disa ditë më herët.

“Ne donim ta kapnim Maduron katër ditë më parë, por moti ishte i keq”, u shpreh Trump, duke shtuar se rezidenca ku ndodhej presidenti venezuelian ishte një “fortesë”.

Trump deklaroi se e ka ndjekur operacionin minutë pas minute nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida.

“Isha në gjendje ta ndiqja operacionin në kohë reale, pashë çdo aspekt dhe dëgjova komunikimet mes Floridës dhe forcave në terren në Venezuelë”, tha ai.

Presidenti amerikan vlerësoi lart profesionalizmin e ushtrisë: “Ishte e pabesueshme të shihje cilësinë e lidershipit, ekspertizën dhe nivelin e pajisjeve. Gjithçka funksionoi në mënyrë të përkryer”.

Sipas Trump, gjatë operacionit janë shënuar disa të plagosur, por nuk ka pasur viktima mes forcave ushtarake amerikane.

“Forcat tona raportuan të plagosur, por asnjë ushtar amerikan nuk ka humbur jetën”, theksoi ai.

Presidenti amerikan deklaroi se Nicolás Maduro kishte kërkuar negociata.

“Maduro donte të negocionte, por unë nuk e pranova”, tha Trump, duke shtuar se kapja e tij është një mesazh i qartë: “Kjo tregon se nuk do të lejojmë të na frikësojnë”.

Trump bëri të ditur se presidenti venezuelian aktualisht mbahet i ndaluar në bordin e anijes “Hiroshima”. “Ai do të transferohet së bashku me gruan e tij në Nju Jork, ku do të përballet me drejtësinë amerikane”, deklaroi presidenti i SHBA-ve.

Në deklaratat e tij, Trump akuzoi drejtpërdrejt Maduron si përgjegjës për krizën e drogës në SHBA.

“Maduro është përgjegjës për vdekjen e 300 mijë amerikanëve në vit për shkak të drogës”, u shpreh ai.

Trump deklaroi se SHBA-të do të shqyrtojnë mundësinë që Maria Corina Machado të marrë drejtimin e Venezuelës.

“Do të vlerësojmë nëse Machado mund ta udhëheqë vendin”, tha ai.

Një tjetër deklaratë që pritet të shkaktojë reagime ishte ajo mbi naftën: “Shtetet e Bashkuara do të jenë fort të përfshira në industrinë e naftës së Venezuelës”, u shpreh Trump, duke kujtuar se vendi ka rezervat më të mëdha të naftës në botë.


Lajmi kryesor:

SHBA godet bazat ushtarake në Venezuelë, kapen Maduro dhe gruaja e tij! Trump: Ne do të qeverisim deri në tranzicion, Machado nuk ka mbështetje