Pas Shqipërisë edhe Kosova ka marrë ftesë të pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Lajmin e ka bërë me dije këtë të mërkurë presidentja Vjosa Osmani, teksa ka postuar letrën e dërguar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Osmani shprehet se Kosova qëndron si aleat i palëkundur i SHBA-ve për ta çuar paqen më tej. Ndër të tjera presidentja thekson se 'Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë dhe kjo është ajo që po bën presidenti Trump.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.

Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.

Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes - dhe ne jemi gati” shkruan Vjosa Osmani.

Më 17 janar Trump i dërgoi kryeministrit Edi Rama ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një strukturë e ideuar dhe sapokrijuar nga SHBA-të, e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës mes grupit terrorist Hamas dhe Izraelit.

Një ditë më parë Rama iu përgjigj pozitivisht ftesës së Trump teksa theksoi se aderimi i Shqipërisë për të marrë pjesë në Bordin e Paqes duhet të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Ceremonia e nënshkrimit për krijimin e Bordit të Paqes do të mbahet në Davos më 22 janar. Mediat kanë zbuluar edhe shkresën që do të duhet të firmoset në qytetin zviceran, ku do të mësohen edhe anëtarët e bordit. Shqipëria do të jetë pjesë për të paktën një mandat 3-vjeçar me të drejtë rinovimi nga presidenti Trump dhe nuk do duhet të paguajë para. Vetëm shtetet që duan të fitojnë statusin e anëtarit të përhershëm, duhet të kontribuojnë me 1 miliard dollarë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:47
Rama uron Vjosa Osmani për ftesën e Trump në ‘Bordin e Paqes’: Sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës!

Foto: Edi Rama dhe Vjosa Osmani

Kryeministri Edi Rama ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga Donald Trump për t’iu bashkuar ‘Bordit të Paqes’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i qeverisë shprehet se ky është një gjest domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.

Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.