Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Pekin, ku është pritur me ceremoni madhështore nga autoritetet kineze. Air Force One u ul në kryeqytetin kinez mes masave të forta ceremoniale dhe një organizimi të pazakontë nga Pekini zyrtar.

Sipas mediave amerikane që shoqërojnë delegacionin presidencial, Trump u prit nga zv/presidenti kinez Han Zheng, ndërsa në aeroport ishin të pranishëm edhe ambasadori amerikan David Perdue, ambasadori kinez në Uashington Xie Feng dhe zyrtarë të lartë të diplomacisë kineze.

Në nder të presidentit amerikan u shtrua tapet i kuq, ndërsa ceremonia u shoqërua nga një gardë nderi ushtarake dhe një bandë ceremoniale. Rreth 300 të rinj kinezë valëvitnin njëkohësisht flamuj amerikanë dhe kinezë, ndërsa brohorisnin në kor: “Mirë se erdhe, mirë se erdhe! Një mirëseardhje e ngrohtë!”.

Pas zbritjes nga avioni presidencial, Trump përshëndeti autoritetet kineze dhe ndaloi për disa çaste duke buzëqeshur përballë ceremonisë së organizuar në aeroport.

Presidenti amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe më pas u largua me limuzinë drejt hotelit ku do të qëndrojë gjatë vizitës në Pekin. Në delegacionin që shoqëron Trump ndodheshin edhe djali i tij Eric Trump, nusja Lara Trump, si dhe disa biznesmenë të njohur amerikanë, mes tyre Elon Musk.

Sipas axhendës zyrtare, Trump nuk ka aktivitete publike deri të enjten.


Lajmi kryesor:

Trump mbërrin në Kinë, nesër takimi me presidentin Xi Jinping! Pekini: E mirëpresim, gati të bashkëpunojmë