Udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias nënshkruan të dielën një marrëveshje tarmëpushimi nën prezencën e Donald Trump, i cili zbarkoi në Malajzi për samitin e ASEAN-it. Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul dhe homologu i tij kamboxhian Hun Manet nënshkruan marrëveshjen përpara një pankarte ku shkruhej "Sigurimi i Paqes", duke u bazuar në një armëpushim të nënshkruar tre muaj më parë.
"Kjo deklaratë, nëse zbatohet plotësisht, do të sigurojë themelet për një paqe të qëndrueshme, por më e rëndësishmja, ajo do të fillojë procesin e riparimit të lidhjeve tona. Komunitetet tona kufitare janë ndarë nga konflikti dhe civilët e pafajshëm kanë pësuar humbje të mëdha.", deklaroi Hun Manet.
Trump ndihmoi në ndërmjetësimin e përfundimit të konfliktit pesë-ditor në korrik duke telefonuar udhëheqësit e atëhershëm të të dy vendeve dhe duke i nxitur ata të ndalonin armiqësitë ose përndryshe rrezikonin që bisedimet e tyre përkatëse tregtare me Uashingtonin të pezulloheshin.
"Shtetet e Bashkuara do të kenë një tregti dhe bashkëpunim të fortë, transaksione, shumë prej tyre, me të dy kombet, për sa kohë që ato jetojnë në paqe", tha Trump.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e shkëmbimit të raketave dhe artilerisë së rëndë, i cili vrau të paktën 48 persona dhe zhvendosi përkohësisht rreth 300,000 të tjerë në luftimet e tyre më të ashpra në historinë e kohëve të fundit. Anutin gati sa nuk e humbi nënshkrimin pas vdekjes së Mbretëreshës Nënë Sirikit të mbretërisë të premten, por më vonë vendosi të fluturonte për ceremoninë.
Ai tha se të dyja palët do të largonin "armët e rënda nga zonat kufitare për të garantuar sigurinë e popullit tonë" dhe se Tajlanda do të lironte 18 ushtarë kamboxhianë të ndaluar.
Komente











