“Dhënia e Çmimit Nobel për Paqen Navi Pillay nuk është një akt drejtësie, por një instrumentalizim grotesk i këtij vlerësimi për të legjitimuar urrejtjen dhe paragjykimet kundër Izraelit. Tani që Komiteti i Nobelit ka shpërblyer gënjeshtrën më të madhe të shekullit XXI, Joseph Goebbels me siguri po duartroket nga ferri”. Kështu shkruan ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në një deklaratë.
“Nëse do të ekzistonte një çmim për gënjeshtrat, urrejtjen dhe akuzat shpifëse, Pillay do të ishte favoritja absolute. Roli i saj në demonizimin e pandërprerë të Izraelit, për motive politike, dhe në promovimin e akuzave për gjenocid flet vetë”, shtoi Sa’ar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ashpërsoi më tej kritikat:
“Sot, Komiteti i Nobelit u bë protagonist i një turpi të pariparueshëm dhe zhvlerësoi Çmimin Nobel për Paqen, dikur prestigjioz, duke ia dhënë Navi Pillay, përfaqësuese e OKB-së. Pillay ushqen një urrejtje të hapur ndaj Amerikës dhe Izraelit. Në detyrën e saj, ajo ka lavdëruar terroristë dhe ka shpërblyer Hamasin. Ajo ka zhvilluar një ‘hetim’ farsë, duke pretenduar se Izraeli kishte kryer gjenocid dhe duke kërkuar ndjekjen e tij penale”.
Sulmi i ministrit izraelit vjen pasi personalitete të ndryshme nga politika, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kultura e kanë përshëndetur vendimin e Komitetit të Nobelit.
“Pak njerëz ia kanë kushtuar jetën drejtësisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor ashtu siç ka bërë ajo”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Duke folur për Pillay, ajo shtoi:
“Ajo është përballur me disa nga kapitujt më të errët të njerëzimit, nga dhuna e aparteidit në Afrikën e Jugut deri te tmerret e gjenocidit në Ruandë. Ajo e ka parë në sy brutalitetin e padrejtësisë dhe nuk e ka kthyer kurrë vështrimin mënjanë. Është mbrojtëse e të përndjekurve, e njerëzve në nevojë, e atyre që nuk kanë zë dhe e të përjashtuarve. Mbrojtëse e epërsisë së ligjit ndaj ligjit të forcës. Në një botë që ka nevojë për drejtësi më shumë se kurrë, guximi dhe qartësia e saj morale janë një busull e çmuar”.
Për presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ky vlerësim është “plotësisht i merituar dhe më i përshtatshëm se kurrë, në një kohë kur e drejta ndërkombëtare po përballet me presione gjithnjë e më të mëdha”.
“Përkushtimi i saj gjatë gjithë jetës ndaj të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe së drejtës ndërkombëtare na kujton se paqja mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse mbrohen dinjiteti, përgjegjshmëria dhe shteti i së drejtës. Bashkimi Evropian i mbështet fuqimisht këto vlera”, vijoi Costa, duke iu referuar Pillay.
Nga ana tjetër, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, theksoi se dhënia e çmimit “na jep mundësinë të vlerësojmë kontributin e saj në forcimin e paqes”, në mbrojtjen e “dinjitetit njerëzor” dhe në sjelljen e “shpresës” në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën.
Sipas Ramaphosës, Çmimi Nobel shërben gjithashtu si një kujtesë për nevojën “për të ndërtuar një shoqëri ku çdo person, pavarësisht rrethanave, të mund të zhvillojë aftësitë e tij dhe të kontribuojë për vendin tonë dhe për botën”.
Vendimi u përshëndet edhe nga Pedro Sánchez, kreu i parë i një qeverie evropiane që komentoi vendimin e Komitetit.
“Ajo është një juriste e njohur nga Afrika e Jugut, e cila ia ka kushtuar jetën luftës kundër pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjes së të dobëtëve përballë të fuqishmëve”, shkroi Sánchez në platformën X.
“Si qeveri spanjolle, i bashkohemi këtij vlerësimi dhe përgëzimeve për punën e saj, si dhe riafirmojmë, tani më shumë se kurrë, mbështetjen tonë për organizatat ndërkombëtare që kujdesen për ruajtjen e paqes”, shtoi ai.
“Urime Pillay! Duke i dhënë asaj Çmimin Nobel për Paqen, Komiteti deklaroi: ‘Një sistem juridik ndërkombëtar, ku kriminelët e luftës mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe viktimave të abuzimeve u vihet drejtësia në vend, është një parakusht për një botë paqësore’. Le të fillojë kjo drejtësi në Palestinë”, komentoi raportuesja speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, Francesca Albanese.
Edhe Hamasi e mirëpriti dhënien e Çmimit Nobel për Paqen.
Në një deklaratë të publikuar sot, zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim, e cilësoi këtë vlerësim si një mesazh shprese për palestinezët, veçanërisht për banorët e Gazës, pasi dëshmon se “njerëzimi vazhdon t’u rezistojë forcave të së keqes që kanë në shënjestër drejtësinë ndërkombëtare”.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, vetëm pak orë pasi Çmimi Nobel për Paqen iu dha Navi Pillay, e cila ka shërbyer si gjyqtare në këtë institucion nga viti 2003 deri në vitin 2008.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se masat synojnë të kufizojnë burimet financiare dhe veprimtarinë e gjykatës.
“Do të ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë të jashtëligjshme, duke i ndërprerë burimet financiare dhe duke paralizuar aftësinë e saj për të vepruar”, deklaroi Rubio.
Sanksionet e reja shkojnë përtej masave të mëparshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë dhe mund të prekin edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht qytetarët amerikanë. Për këtë arsye, sot Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione ndaj saj”, theksoi sekretari amerikan i Shtetit.
Uashingtoni ka kundërshtuar prej kohësh urdhërarrestet e lëshuara nga kjo gjykatë ndaj zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, si edhe hetimin e mëparshëm mbi veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan, i cili më pas u mbyll.
-
Trapi me fjale ndaloj 8 luftera po ndezi 10 te tjera mbar boten ,dhe financon vrasjen e femijve ne Gaza dhe mendon se nuk e sheh askush vazhdo keshtu neser dote shpalli dikush NON GRATA.
Përgjigju









Komente
Komento