WASHINGTON – Ka qenë një nga telefonatat më të ashpra mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan. Gazetarët Barak Ravid dhe Marc Caputo të portalit Axios, të njohur për lidhjet e tyre të forta me qeveritë amerikane dhe izraelite, raportuan se Trump, i zemëruar nga ajo që ai e konsideron një përshkallëzim të tepruar kundër Hezbollahut, i cili rrezikonte të sabotonte negociatat me Iranin, e kishte quajtur Netanyahun “të çmendur” dhe mosmirënjohës, duke e akuzuar se po e izolonte gjithnjë e më shumë Izraelin dhe duke e detyruar të frenonte sulmet ndaj Bejrutit.
Dy burime të Axios-it thanë se Trump i kishte kujtuar kryeministrit izraelit se e kishte ndihmuar të shmangte burgun gjatë procesit të tij për korrupsion. Një zyrtar amerikan përmblodhi kështu fjalët e Trumpit:
“Je një i çmendur i mallkuar. Do të ishe në burg po të mos isha unë. Po të shpëtoj lëkurën. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për këtë.”
Sipas një zyrtari tjetër, Trump kishte bërtitur:
“Çfarë dreqin po bën?”
Reagimet ndaj artikullit ishin të menjëhershme. Mark Levin, komentator i Fox News dhe një nga mbështetësit më të fortë të vazhdimit të luftës kundër Iranit deri në rrëzimin e regjimit, deklaroi se Ravid duhet të pushohej nga puna për publikimin e këtyre informacioneve, të cilat sipas tij rrezikojnë sigurinë kombëtare, dhe se FBI duhet të hetojë burimet e gazetarit. Në rrjetet sociale pati edhe komente ironike që sugjeronin se burimi i rrjedhjeve mund të ishte vetë Trump.
Një ditë më pas, gazetari izraelit Amit Segal, duke cituar burime pranë Netanyahut, paraqiti një version tjetër të ngjarjes. Edhe pse pranoi se telefonata kishte qenë “e tensionuar”, ai minimizoi konfliktin: nuk kishte pasur fyerje, referenca për burgun apo pretendime se “bota e urren” Netanyahun. Përkundrazi, sipas këtij versioni, ishte pranuar se mbrojtja e Izraelit është e vështirë dhe se kjo ushqen ndjenja armiqësore.
Sipas Segalit, dy liderët sqaruan një keqkuptim: Trump mendonte se Netanyahu dëshironte të vazhdonte luftën me intensitet të lartë, ndërsa Netanyahu besonte se Trump kërkonte një armëpushim të plotë. Në fund, ata ranë dakord që “Izraeli do të shmangë goditjet ndaj Bejrutit për sa kohë nuk sulmohet brenda kufijve të tij”. Ndërkohë, operacionet në jug të Libanit do të vazhdojnë.
Pas deklaratave të Segalit, Levin akuzoi disa zyrtarë amerikanë se kishin “shpikur” historinë dhe kishin furnizuar Ravidin me informacione të rreme.
Nuk është hera e parë që Netanyahu vë në provë durimin e Trumpit. Ka pasur disa telefonata të tensionuara mes tyre. Madje, Trump nuk është i vetmi president amerikan që ka hasur vështirësi me Netanyahun. Ish-negociatori i paqes Aaron David Miller kujtoi së fundmi se edhe presidenti i atëhershëm Bill Clinton kishte dalë i irrituar nga takimi i parë me Netanyahun në vitin 1996.
Edhe brenda rrethit të Trumpit ka këshilltarë kritikë ndaj kryeministrit izraelit. Në korrik të vitit 2025, pas bombardimeve izraelite në Siri dhe goditjes së një kishe në Gaza, disa zyrtarë amerikanë i thanë po ashtu Axios-it:
“Bibi është sjellë si i çmendur. Bombardon gjithçka. Çdo ditë ndodh diçka e re. Kjo mund të dëmtojë atë që Trump po përpiqet të arrijë.”
Megjithatë, askush nuk pret një përçarje të vërtetë mes dy aleatëve për çështjen iraniane. Madje, disa analistë besojnë se këto rrjedhje informacioni janë të kalkuluara, pasi e paraqesin Trumpin si një lider të ashpër – diçka që pëlqehet nga baza e tij elektorale – ndërsa tregjet qetësohen, pa ndryshuar asgjë në terren.
Netanyahu rezultoi i saktë kur vuri bast se Trump në fund do të mbështeste sulmin ndaj Iranit, një operacion i planifikuar dhe i realizuar në bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve. Megjithatë, janë shfaqur edhe dallime interesi.
Një prej tyre u pa kur Izraeli goditi 30 depo karburanti në Iran marsin e kaluar.
“Presidentit nuk i pëlqen kjo. Ai dëshiron të ruajë naftën, jo ta djegë. Dhe kjo u kujton njerëzve rritjen e çmimeve të karburantit,” i tha Axios-it një këshilltar i Trumpit.
Tani Netanyahu duket se është lënë disi në periferi të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ekziston një shqetësim real, madje edhe mes republikanëve më të ashpër, se Trump mund të arrijë një marrëveshje me Iranin që Izraeli nuk e dëshiron.
Një telefonatë tjetër e vështirë kishte ndodhur më 19 maj, kur Netanyahu mësoi se Irani kërkonte që në memorandumin e mirëkuptimit të përfshihej edhe armëpushimi në Liban.
Netanyahu mbetet skeptik ndaj negociatave dhe dëshiron rifillimin e luftës, madje nëse është e mundur edhe rrëzimin e regjimit iranian. Trump, nga ana tjetër, kërkon një marrëveshje, por që të përfshijë heqjen dorë të Iranit nga programi bërthamor.
Pyetja që mbetet e hapur është: çfarë do të bëjë presidenti amerikan nëse Irani refuzon të tërhiqet?/ Corriere della Serra
Komente







