Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Venezuela “do t’i dorëzojë” deri në 50 milionë fuçi naftë SHBA-ve, me vlerë rreth 2.8 miliardë dollarë, pas një operacioni ushtarak për të rrëzuar nga pushteti presidentin venezuelian, Nicolas Maduro.

Nafta do të shitet me çmimin e tregut, sipas një postimi të Trump në rrjetin social Truth, shkruan Corriere della Sera.

Trump shtoi se do të kontrollonte paratë e mbledhura dhe do t'i përdorte ato në dobi të popullit të Venezuelës dhe SHBA-së.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se autoritetet kalimtare në Venezuelë do të furnizojnë midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë me cilësi të lartë, pa sanksione, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo naftë do të shitet me çmimin e tregut dhe të ardhurat do të menaxhohen nga unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që ato të përdoren në dobi të popullit venezuelian dhe Shteteve të Bashkuara!”, shkroi Trump.

Deklarata e Trump vjen pasi ai tha se industria amerikane e naftës do të “ringrihej dhe do të funksiononte” në Venezuelë brenda 18 muajsh dhe se priste që investime të mëdha të derdheshin në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:20
Machado nuk tërhiqet, thotë se ajo duhet të qeverisë Venezuelën! S’kursehet për Rodriguez: Të gjithë e dinë kush është!

Liderja e opozitës venezuelase, María Corina Machado, ka deklaruar se ajo duhet “absolutisht” të marrë drejtimin e vendit, pas arrestimit të presidentit Nicolás Maduro nga SHBA-të javën e kaluar.

“Ne jemi të gatshëm t’i shërbejmë popullit tonë, ashtu siç na është dhënë mandati”, tha Machado në një intervistë për CBS.

Ajo falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për “udhëheqjen dhe guximin” e tij pasi forcat amerikane sulmuan Karakasin dhe arrestuan Maduron, por tha se askush nuk i besonte aleates së presidentit, e cila është emëruar si udhëheqëse e përkohshme. Machado dhe lëvizja e saj opozitare shpallën fitoren në zgjedhjet e vitit 2024, të cilat u kundërshtuan, por Trump ka refuzuar ta mbështesë duke thënë se ajo nuk gëzon mbështetje popullore.

Ish-deputetja, e cila u nderua me Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar, e përshkroi veprimin ushtarak amerikan në Venezuelë gjatë fundjavës si “një hap të madh drejt rikthimit të begatisë, ligjit dhe demokracisë në Venezuelë”. Ajo tha se nuk ka folur me Trump këtë vit, por shprehu mirënjohje ndaj tij për rrëzimin e Maduros. “Udhëheqja dhe guximi i Presidentit Trump e kanë sjellë Nicolás Maduron përballë drejtësisë dhe kjo është gjë e madhe”, i tha ajo CBS-së.

Pavarësisht afrimeve të saj, presidenti amerikan e ka hedhur poshtë publikisht Machadon si një pasardhëse të besueshme të Maduros. “Mendoj se do të ishte shumë e vështirë për të të ishte udhëheqëse”, tha Trump në një konferencë shtypi disa ditë më parë, duke iu referuar Machados. “Ajo nuk gëzon mbështetje dhe respekt në vend. Është një grua shumë e mirë, por nuk gëzon respekt.”

Por Machado tha se askush nuk i beson udhëheqëses së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, e cila më parë ishte zëvendëspresidente e Maduros. Udhëheqësja e opozitës i tha CBS-së se Rodríguez ishte “një nga arkitektet kryesore… të shtypjes ndaj njerëzve të pafajshëm” në vendin e Amerikës së Jugut. “Të gjithë në Venezuelë dhe jashtë saj e dinë shumë mirë se kush është ajo dhe rolin që ka luajtur.”

Rodríguez është përballur me sanksione nga amerikanët për rolet e saj si ministre në administratën Maduro, ajo nuk është akuzuar nga zyrtarët për asnjë krim. Presidentja bër betimin në detyrë të hënën, disa ditë pasi forcat speciale amerikane thyen sigurinë venezueliane për të arrestuar Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores. Të martën, Rodríguez hodhi poshtë pretendimet e Trump se SHBA-ja ishte në krye të Venezuelës. “Qeveria venezuelase e qeveris vendin tonë dhe askush tjetër”, tha ajo në një fjalim televiziv. “Nuk ka asnjë agjent të jashtëm që qeveris Venezuelën.”