PRISHTINË, 10 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/.-Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (ISHSN), organizoi të mërkurën një tryezë diskutimi mbi potencialin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe sfidat në kuadër të këtyre marrëdhënieve.
Organizatorët bën të ditur se, qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi dhe identifikimit problemeve në aspektin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare në të dy anët e kufirit. Përveç panelistëve dhe të ftuarve të nderit, në tryezë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të BE, përfaqësues të mediave, përfaqësues të shoqërisë civile  si dhe ata të shoqatave tregtare në vend.
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP, tha gjatë tryezës se "përkundër bashkëpunimeve në nivel kulturor, artistik, arsimor, etj., bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe tregtisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë lë shumë për të dëshiruar". "Rrjedhimisht, lind nevoja për konkretizim të marrëveshjeve të nënshkruara tregtare në mes të dy vendeve dhe për identifikim të modaliteteve të bashkëpunimit që do të shtynin përpara bashkëpunimin ekonomik," theksoi më tej Ejupi.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, gjatë prezantimit të tij në tryezë, paralajmëroi se Qeveria e Shqipërisë do të përgatis një draft të dokumentit që do të konkretizojë hapat drejt një bashkëpunimi më të mirë, sidomos sa i përket unifikimit të standardeve në industrinë e produkteve ushqimore, të cilat produkte, sipas Dritan Sulçebe nga ISHSN, zënë peshën kryesore në vëllimin e eksporteve në mes të dy vendeve.
"Vendet tona janë shumë të vogla dhe në mënyrë që të bëhemi faktorë ekonomikë në rajon, ne kemi nevojë të rrisim bashkëpunimin me njëri tjetrin. Sot më shumë se kurrë është e nevojshme që të punojmë drejt unifikimit të standardeve të aplikueshme në industrinë e ushqimit, i cili do të ishte hapi i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve dhe njëkohësisht do të ndikonte drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të shkëmbimeve reciproke tregtare", theksoi ambasadori Minxhozi./a.ke/