Tryezë për reformën gjyqësore
Nishani fton edhe Ina Ramën

Tryezë për reformën gjyqësore<br />Nishani fton edhe Ina Ramën
TIRANE -Presidenti Bujar Nishani mblodhi sot paradite krerët e Institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi reformën në sistemin gjyqësor, si dhe mbi sfidat që burojnë nga rekomandimet në Raport Progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012.

Në tryezën e organizuar me ftesë të  Presidentit i Republikës te Vila 31, të binte në sy dhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e cila mori kështu ftesën e parë, ndoshta edhe të fundit, prej kreut të shtetit për të qenë pjesë e një tryeze të tillë. Nuk mund të kalonin pa u vënë re as marrëdhëniet e ftohta mes zonjës Rama, Presidentit dhe ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi. Të paktën në prezencë të medias ka munguar një përshëndetje dhe shtrëngim duarsh mes tyre.

Kjo është hera e parë, që prej korrikut kur Nishani mori postin e Presidentit, që ulet në një tryezë me kryeprokuroren Ina Rama. Sipas mazhorancës dhe asaj çka ka lënë të kuptohet edhe Presidenti, mandati i Kryeprokurores mbaron brenda pak ditësh. Presidenti (në një prononcim për median, pas marrjes së detyrës) u shpreh se do të respektonte Kushtetutën për zëvendësimin e Prokurores së Përgjithshme por pa dhënë një afat kohor të caktuar. Sipas mazhorancës mandati i Ina Ramës përfundon tani më 20 nëntor, 5 vjet nga nëntori i vitit 2007 kur parlamenti e votoi, ndërkohë që opozita shprehet se mandati i saj përfundon në maj të 2013, kur kanë hyrë në fuqi dhe ndryshimet kushtetuese.

Sipas nenit 7 të ligjit të funksionimit të Prokuorisë,nr.10 051, Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Ai qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.

TRYEZA
Në tryezë ishte dhe kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, nënkryetari i KLD-së Elvis Çefa, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe zyrtarë të lartë.
Tryeza u zhvillua e hapur për gazetarët deri në përfundim të  fjalës së presidentit Nishani dhe ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi. Madje për këto fjalime u lejua transmetimi direkt në televizionet shqiptare, por më pas u vendos që tryeza të vazhdonte diskutimin pa praninë e medias. Transmetimi direkt u ndërpre në momentin kur po fliste kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ndërkohë që në njoftimin e djeshëm presidenca informonte vetëm se do kishte një tryezë të rrumbullakët, por pa saktësuar se kush do të ishin të ftuarit e saj.

NISHANI: REFORMA NE GJYQESOR E DOMOSDOSHME

Tryeza u hap me fjalën e Presidentit Nishani. Ai vuri theksin tek domosdoshmëria e reformimit të sistemit gjyqësor. “Jam përkushtuar të përmbush 12 prioritetet e BE. Si kryetar i KLD-së në fokus është përmbushja e të gjithë pritshmërive, dhe prioritet reforma në gjyqësor. I kam kërkuar KLD-së të përkrahë gjyqtarët e integruar dhe të ndjekë këmba këmbës ata që nëpërkëmbin Kushtetutën, ligjet, dhe qytetarët. Ata do të përballen me ligjin “- tha Nishani.

NISHANI: PARTITE TE VOTOJNE 3 PR/LIGJET
Presidenti bëri apel politikës për miratimin e 3 pr/ligjeve të kërkuara nga KE. “Në këto momente historike e vendimtare për vendin tonë janë këto 3 pr/ligje të cilat përtej qëllimeve rregullative marrin rëndësi vendimtare. Klasa politike shqiptare ka fatin të kurorëzojë atë çka nisi 100 vjet më parë  nga një grup patriotësh. Nga këto reforma përfitojnë jo vetëm qytetarët por dhe gjyqtarët”- tha Nishani. Nga ana e tij Ministri Halimi tha se “dixhitalizimi dhe rritja e transparencës dhe regjistrimi i seancave e gjyqësore, audio e video do të rrisë besimin e qytetarëve tek drejtësia”. Ai përsëriti thirrjen drejtuar opozitës për miratimin e pr/ligjit për Gjykatën e Lartë.
(Gre.M/su.ge/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament