Policia e Tiranës ka konfirmuar zyrtarisht arrestimin e ish-deputetit PD-së, Klevi Balliu për tubim e djeshëm tek Unaza e Re. Akuzat që rëndojnë mbi të janë "Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik", "Goditje për shkak të detyrës", "Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme", "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Shkatërrimi i pronës".

Bashkë me të janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, Lulzim  Maqinaj, Seit Hajderasi dhe Elton Skënderi, banorë të zonës që së bashku me Balliu bllokuan rrugën në tentativë për të ndaluar kalimin e kryeministrit Rama që shkonte tek fabrika e miellit.

Në këtë tubim pati konfrontim fizik ku 4 policë mbetën të plagosur si dhe u lënduan 3 banorë. Ndërsa policia shoqëroi disa banorë tek komisariati nr.6, pati sërish përplasje mes banorëve dhe policisë.

Njoftimi i plotë i policisë:

30 të proceduar për aktet e dhunës në ditën e djeshme

Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 4 shtetas, për veprime të dhunshme mbi Policinë dhe shkatërrimin e pronës, ditën e djeshme në zonën e Unazës së Re.

Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 23 persona të tjerë, si dhe 3 janë shpallur në kërkim.

Për sulmet dhe veprimet e dhunshme mbi punonjesit e policisë janë arrestuar shtetasit:

- K.B., 30 vjeç, banues në Tiranë
- L.M., 42 vjeç, banues në Tiranë
- S.H., 34 vjeç, banues në Tiranë
- E.S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet proceduriale do t'i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, "Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës".