Tuk Jakova, mes të vërtetës
historike dhe kultit politik

Tuk Jakova, mes të vërtetës<br />historike dhe kultit politik
Unë kam studiuar dhe vazhdoj të studioj zhvillimet e Luftës dhe të pasluftës, përfshirë edhe veprimtaritë, për mirë ose për keq, të personaliteteve të kohës. Tuk Jakova është njëri prej tyre, për të cilin kam krijuar opinionet dhe bindjet e mija.

Që ne fillim dua të shpjegoj se në qëndrimet që kam mbajtur, sidomos për persona historikë të Luftës së Dytë Botërore, jo gjithnjë kam gjetur mirëkuptim nga një pjesë e opinionit, deri e ndonjërit prej kolegëve. Arsyeja është se unë këmbëngul në përpjekjet për një vështrim kompleks, jo bardhë e zi, të figurave të Luftës, pavarësisht rreshtimeve politike që ata zgjodhën.

Sipas meje, në qoftë se nisemi thjesht e vetëm nga rreshtimet politike, do ta kishim të vështirë të flisnim për “pjesën e mirë”, për kontributet atdhetare, intelektuale etj., bie fjala, të Mithat Frashërit, të Ernest Koliqit, Patër Anton Harapit, Lef Nosit, Mihal Zallarit e shumë të tjerëve. Vështrimet e sotme metodologjike në historiografi sugjerojnë që kontributet e secilit veçmas janë matësi më i mirë i vlerave të tyre reale dhe të japin mundësi t’i sjellësh gjërat në balancat e duhura. Kjo mendoj se qëndron edhe në rastin e Tuk Jakovës. Kësisoj, nëse marrim si matës thjesht vendin që ai zë në hierarkinë komuniste të kohës, që nga mbledhja e parë e përbashkët e grupeve komuniste, për të vijuar me vitet ’40 dhe gjysmën e viteve ’50, atëherë nuk më mbetet tjetër veçse, pa e zgjatur, të mbledh letrat.

 Po cilat janë arsyet që sot na mbledhin në këtë sallë të kujtojmë me shumë nderim Tuk Jakovën, këtë figurë të rëndësishme politike të komunizmit? Të thuash se ai u persekutua nga partia dhe pushteti i vet, u burgos dhe humbi jetën në rrethana ta paqarta dhe prandaj duhet kujtuar, kjo është një arsye, madje e rëndësishme, po jo e mjaftueshme. Me aq sa unë kam lexuar dhe kam dëgjuar nga njerëzit që e kanë njohur, kam ardhur në disa konstatime, dy a tre prej të cilëve po i them më poshtë dhe që i mendoj si përcaktues në personalitetin e Tuk Jakovës.

Konstatimi i parë ka të bëjë me raportet e tij me partinë ku ai ishte ndër bashkëthemeluesit, me raportet me Luftën dhe me pasluftës, si njëri ndër drejtuesit, si dhe me raportet me vetë sistemin. Në këtë pikë, personaliteti tij më rezulton të jetë një shumëllojshmëri detajesh, pa të cilat nuk mund të kuptohet. Në raportet me partinë, ai mbeti idealist, duke besuar, si plot të tjerë, se ajo mund të bëhej më e mirë. Në luftë ai qe drejtues i rangut të lartë, njeri i sakrificës, Hero i Popullit. Në ndërtimin e vendit përsëri me detyra të larta. Por e veçanta nuk është kjo piramidë hierarkie.

E veçanta është te raportet me sistemin. Është pranuar tashmë se shqiptarët kaluan një sistem terrori, pjesë e të cilit ishte edhe Tuku. Mund t’u themi idealiste, deri dhe naive, përpjekjeve të tij për t’i dhënë përditshmërisë së sistemit një fytyrë më njerëzore. Dhe Tuk Jakova u investua shpirtërisht në këtë utopi. Këtë e dëshmojnë të gjithë, kush e ka njohur. E thonë madje edhe persekutorët e tij. “Tuku është popullor, thotë Hoxha, është i dashur me shokët, por ai nuk bën dallim midis një anëtari partie dhe një të sapodalë nga burgu ... Tuku të gjithë i ndihmon njësoj, po kjo është e palejueshme ... Tuku u qan hallin të gjithëve, madje një prifti i dha një mijë lekë t’i kishte për rrugë gjatë kthimit për në Shkodër ... Tukut i vijnë njerëz e i qajnë hallin të mos i rekrutonin si agjentë të Sigurimit ... Partia ndryshon natyrat e njerëzve, por te Tuk Jakova kjo nuk ka funksionuar ...” Përveç këtyre e shumë të tjerave që thotë Hoxha, është i njohur episodi që ai si deputet i Shkodrës, ndërhyn të rregulloheshin me punë disa vajza, midis tyre mbesa e Padër Anton Harapit dhe se si ato u përzunë nga puna. Gjithë kjo tregon se lufta ndaj Tuk Jakovës filloi duke i kundërvënë atij pjesën më karakteristike për të, shpirtin njerëzor, dhembjen për njerëzit. Dhe kjo cilësi e tij u quajt ‘oportunizëm’. Këtu filloi drama e tij.

Konstatimi i dytë, raportet me të vërtetën. Është tashmë i njohur plenumi i prillit të 55-ës, për të cilin mund të flitej gjatë, por nuk është vendi ta shtjellojmë. Në atë plenum Tuk Jakova kritikoi shtrembërimet në historiografi, duke sjellë shembull leksionet që jepeshin në Shkollën e Partisë dhe në shkollat e tjera të larta për themelimin e Partisë Komuniste dhe ku pedagogët mbeteshin gojëkyçur përballë pyetjeve të studentëve për këtë temë. Tuku sigurisht e dinte të vërtetën. Po të vërtetën e dinin dhe të tjerë. Veç kësaj, Tuku tashmë kishte më shumë përvojë dhe, ashtu si të tjerët, e përjetonte çfarë po ndodhte në parti. Por, ndryshe nga të tjerët, Tuku zgjodhi “turrën e druve”, megjithëse, po ashtu si të tjerët, edhe ai kishte grua e fëmijë!

Një vështrim analitik i zhvillimeve të asaj kohe, mund të marrë shumë komente. Për të mos i ikur rastit të sotëm, ajo çka duket më qartë është se Tuk Jakova nuk bënte lëshime me të vërtetën. Ai besonte tek ajo dhe prandaj e mbronte. Kjo duhet parë si pjesë e vetëdijes së tij, e kulturës qytetare. Në pikëpamje të vlerave, kjo është një arsye tjetër që meriton nderim. Në pikëpamje të mesazheve, është për të ardhur keq, kur edhe sot ka shkrues historie, që edhe pas 60 vjetëve nuk e kanë arritur ende Tuk Jakovën!

Konstatimi i tretë më shumë se me Tuk Jakovën si individ, si njeri, si person politik e publik, ka të bëjë me rastin Jakova, i cili bashkë me Bedri Spahiun, u kthye në referencë politike, në një çast kthese në historinë e komunizmit dhe të Bllokut komunist, me reformat që u morën në Bllok pas vdekjes së Stalinit, dhe sidomos, pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, shkurt - mars 1956. Është koha kur vendet e Lindjes, njëri pas tjetrit, u përfshinë në kursin e destalinizimit dhe për pasojë, ndër të tjera, po bëheshin rehabilitime të të ndëshkuarve të deriatëhershëm. Ky projekt i Hrushovit ishte edhe për shqiptarët. Ai u pranua me gojë e me shkrim nga Enver Hoxha dhe rrethi i tij, por në fakt u sabotua hap pas hapi. E veçanta është se në të gjitha organizatat e Partisë, në diskutimet në popull, siç ka qenë praktika e atëhershme, njerëzit flisnin, njerëzit pyesnin hapur: çfarë do të bëhet me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun? Kjo pyetje u shtrua dhe në Konferencën e Partisë së Tiranës, prill 1956. Për një kohë interesimi i publikut mbeti pa përgjigje. Gjithçka do të lidhej me zgjedhjen që do të bënte udhëheqja shqiptare. Për siguri pushteti, Enver Hoxha zgjodhi rrugën staliniste. Përgjigja për Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun ishte jo rehabilitimi i tyre, por mbyllja në kështjellën e Kaninës.

Konstatimi i fundit në vend të mbylljes. Historia me dëshmitë dhe të vërtetat e saj, nuk mund të shpjegohet jashtë hapësirës dhe kohës, ku dhe kur kanë ndodhur këto ose ato zhvillime. Kjo do të thotë se ata që kërkojnë e përzgjedhin lëndën historike e bëjnë këtë duke u ulur në të djeshmen për ta sjellë në të sotmen. Po kur është fjala për ide dhe mesazhe që vijnë nga historia, vlerësimin e bëjmë nga pozitat e të sotmes. Mendoj se kjo vlen edhe për Tuk Jakovën, për të cilin rrethanat e kishin sjellë të përfaqësonte në Kuvendin Popullor sidomos komunitetin katolik të Shkodrës, prej nga ai vinte.

Komuniteti katolik në Shqipëri është një produkt historik, i marrëveshjeve qindravjeçare midis perandorive, një komunitet i mbrojtur prej tyre, i shkolluar dhe me kulturë e formim properëndimor. Në parlamentin e 1921 emra si At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi etj., kanë bërë histori dhe kanë hyrë në histori. Komunizmi ishte rrënues për bashkësinë katolike në Shqipëri. Tuk Jakova ishte pjesë e bashkësisë, megjithëse jo i përzgjedhuri real i saj. Por ai, u bë përfaqësuesi moral i katolikëve. Duket se persekutimin ai e ndjeu dhimbshëm, deri në kockë. Ai mori të njëjtin fat, fatin e bashkëvuajtësve të vet.
E solla këtë moment, pasi këto ditë kam parë që flitet për nivelin e përfaqësimit në Shqipëri në përgjithësi, por edhe për zonat katolike. E di, intelektualët e vërtetë u shmangen ofiqeve politike. Komuniteti katolik po ashtu ende nuk e ka marrë veten nga persekutimi i gjatë. Po edhe mospërfillja deri në fyerje e ka një kufi. “Të fortët” që kanë zënë portat e pushtetit, ka ardhur koha të bëjnë mënjanë. Përndryshe, të mençurit nuk kanë për të ardhur kurrë.

Tani dy fjalë për familjen Jakova, për zonjën Mita dhe fëmijët. Fati juaj është i ngjashëm me fatet e shumë të tjerëve. Libri “Tuk Jakova jeta dhe vepra”, i z. Nikollё Loka, qё promovohet sot, na jep rastin të flasim për babain tuaj. Kemi lexuar dhe më herët letërkëmbimin e dy prindërve tuaj, siç kemi ndjekur edhe intervista të mëvonshme. Sinqerisht, edhe unë, të gjithë ne, dridhemi kur kujtojmë çastin kur fëmijëve u mbeten duart e shtrira përtej hekurave, pa mundur të prekin duart e babait. Por mbi vuajtjet ngrihet dinjiteti. Ai na vjen në sagën e familjes suaj, ku vuajtja me dinjitetin nuk u ndanë kurrë.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet