Rrugët në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës janë paralizuar këtë të enjte për shkak të zhvillimit të etapës së radhës së 'Turit Çiklistik të Shqipërisë'.

Dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara në trafik për rreth 45 minuta, duke krijuar radhë të gjata dhe pakënaqësi tek qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve.

Siç duket edhe nga pamjet, qarkullimi është ndalur pothuajse totalisht në disa akse, ndërsa shumë qytetarë kanë zbritur nga automjetet në pritje të rihapjes së rrugës.

Po ashtu bëhet e ditur se e bllokuar është edhe aurostrada Novoselë-Vlorë, e cila është një nga arteriet kyçe për hyrjen në qytetin bregdetar.

Një ditë më parë u mbajt etapa e tretë ku fitues u shpall çiklisti zviceran Guillaume Haldimann, i cili arriti të marrë vendin e parë vetëm në metrat e fundit të finishit në Vlorë. Vendin e dytë e zuri holandezi Niels Reemeijer dhe vendin e tretë rumuni Cristian Raileanu.