Turqia është angazhuar të transportojë aktivistët e ndaluar nga Izraeli. Përmes fluturimeve të posaçme, aktivistët do të transportohen nga Turkish Airlines. Lajmin e konfirmoi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili saktësoi se qeveria turke do të bëjë të mundur zhvendosjen e aktivistëve turq, por edhe të atyre nga vende të tjera.

"Si pasojë e ndërhyrjes së paligjshme ndaj Flotës Globale “Sumud”, po punojmë së bashku me të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë që po mbahen dhe kthimin e tyre të sigurt në vend. Me fluturimet e posaçme që do të organizohen sot, planifikojmë të sjellim në Turqi qytetarët tanë, si edhe aktivistë nga vende të treta. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë dhe të përmbushim përgjegjësinë tonë humanitare ndaj civilëve në Gaza, ndërsa do të vijojmë me vendosmëri mbështetjen për popullin palestinez", shkroi ai. 

Sipas The Jerusalem Post, aktivistët e ndaluar po transportohen në jug të Izraelit, në aeroportin Ramon. Izraeli ndaloi të paktën 40 mjete lundruese, pjesë të flotës humanitare “Sumud”, të hënën në ujërat pranë Qipros. Mes tyre është edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj.

Në total kanë qenë të paktën 430 aktivistë nga vende të ndryshme të botës që u ndaluan dhe po mbahen nga forcat e sigurisë së Izraelit, të akuzuar për terrorizëm nga ministri ekstremist Itamar Ben-Gvir. Një video e shpërndarë në profilin e tij në X të mërkurën shkaktoi indinjatë publike dhe institucionale në të gjithë botën, ndërsa zyrtarë të niveleve më të larta dënuan pamjet e shpërndara, ku dukeshin keqtrajtimet dhe talljet e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve, përfshirë edhe nga vetë ministri Gvir.

Keqtrajtimi i aktivistëve u dënua nga qeveri të ndryshme të botës, ndërsa Spanja ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa formalë për t’i kërkuar BE-së sanksione ndaj ministrit Ben Gvir.

Lajmi në përditësim....