Etapa e tretë e Rrethit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë është mbyllur këtë të mërkurë me itinerarin Elbasan–Vlorë, në një distancë prej rreth 149 kilometrash. Pas një gare të fortë dhe shumë emocionuese, fitues i etapës u shpall çiklisti zviceran Guillaume Haldimann, i cili arriti të marrë vendin e parë vetëm në metrat e fundit të finishit në Vlorë.
Pas tri etapave të zhvilluara deri tani, renditjen e përgjithshme të Rrethit Çiklistik e kryeson pikërisht Guillaume Haldimann, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer në këtë edicion të garës.
Në fjalën e tij, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Hanxhaku, falënderoi organizatorët dhe vlerësoi faktin që Vlora është pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti sportiv. Në ceremoninë përmbyllëse ai i dhuroi edhe fanellën e verdhë drejtoreshës së klubit shumësportësh, Elona Hasanaj.
Ndërkohë, të enjten do të zhvillohet etapa e katërt në itinerarin Vlorë–Llogara–Himarë–Kuç–Vlorë. Në edicionin e këtij viti marrin pjesë 18 ekipe nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës.
Komente










