Brukseli dhe Tirana zyrtare janë në unison perfekt më lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe detyrat që ajo ka para.

“Kemi dakordësi 100% në të gjitha çështjet. Kemi dakordësi 100% për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë. Kemi dakordësi 100% për sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve. Kemi dakordësi 100% që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues dhe kemi dakordësi 100% që të gjitha këto janë më të lehta për faktin që në këtë rrugë ne s’jemi vetëm, por kemi një partner të jashtëzakonshëm siç është BE dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijeje siç është procesi i negociatave dhe i ndërveprimit me Komisionin Evropian”, tha Rama.

“Këto reforma më shumë sesa kushte të vendosura nga Bashkimi Evropian, janë në fakt zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Që do të thotë, që një angazhim i vazhdueshëm, i prekshëm politik për sundimin e ligjit dhe për ruajtjen e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës, janë themele thelbësore për anëtarësimin në BE”, tha Costa.

Nga Tirana, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u pyet edhe për propozimin e Merz për integrim gradual në BE, por diplomati portugez tha se me Shqipërinë dhe Malin e Zi kjo nuk është e nevojshme.

“Unë mendoj që ne mund të punojmë qartazi se jemi në rrugën e duhur. Tashmë unë mendoj se kemi kushtet për të filluar mbylljen e disa kapitujve, komisioni dje i ka sjellë Këshillit për mbylljen e tre kapitujve. Duhet të punojmë pikërisht për këtë çështje”, tha Costa.

Gjatë vizitës në Tiranë, në kuadër të turit ballkanik para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi, Costa u prit edhe nga presidenti Begaj.

Shqipëria e cila vetëm pak ditë më parë mori vlerësimin e vendeve anëtarë për piketat e ndërmjetme synon mbylljen e 10 kapitujve negociues brenda vitit 2026.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Integrimi në BE/ Costa: Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit mbylljen e 3 kapitujve për Shqipërinë

 

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, tha se Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit, mbylljen e 3 kapitujve me Shqipërinë.

Costa: Unë mendoj që ne mund të punojmë qartazi se jemi në rrugën e duhur. Kemi krijuar grupin e punës për të filluar përpilimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi. Kemi kushtet për të filluar mbylljen e disa kapitujve. Dje Komisioni i ka sjellë Këshillit propozime për mbylljen e 3 kapitujve.

Po ecet përpara dhe këtu duhet të përqendrohemi. Shqipëria ka një synim shumë ambicioz për përfundimin e negociatave në fund të vitit 2027. Jemi në qershor 2026 dhe kemi edhe 1 vit e gjysmë përpara, ndaj duhet të punojmë fort. A është e vështirë? Po. A është e pamundur? Jo.

Ora 12:53
Costa në Tiranë: Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare drejt anëtarësimit në BE, përmbushët kushtet për piketat e ndërmjetme!

 

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa në konferencë me kryeministrin Edi Rama vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, Costa tha se Shqipëria i ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore.

Costa tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të negociatave, ndërsa theksoi se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten kyçe për anëtarësimin në BE.

“Kënaqësi që të vij në Tiranë. Sot përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE dhe kjo në veçanti rolit të tuaj Edi dhe angazhimit tuaj personal në këtë proces. Javën e shkuar, ne e pamë ecurinë e Shqipërisë dhe i ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore. Shtete anëtarë kanë kuptuar dhe kanë vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE. Ky është fillimi i një faze impenjative. Këto reforma, më shumë se sa kushte, janë zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike, angazhim për ruajtjen e një pushteti gjyqësor të pavarur, janë themelore. Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit. BE është partneri më i besueshëm i BE dhe Shqipërisë. Është investuesi kryesor dhe parteneri më i rëndësishëm tregtar. BE mbështet ecurinë e Shqipërisë, si qasja që kanë në SEPA dhe po integroheni në tregun e BE. Zgjerimi është domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën, investim tek paqja, stabiliteti. Me kërshëri prej të ritakohemi shumë shpejt në samitin BE-Ballkani Perëndimor të premten në Tivat. Samiti do jetë shenjë e qartë e vendosmërisë për ta çuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të ecur më tej”, tha Costa.

Ora 12:04
Antonio Costa në Tiranë, takim me Begajn në Presidencë! Kreu i shtetit vlerëson mbështetjen e BE-së: Shqipëria nuk ndalet drejt anëtarësimit

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të hënë në Tiranë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një takim ku në fokus ishte ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë bisedës, u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, përfshirë zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.

Begaj i përcolli Costës vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur objektivat për mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.

“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, ndërsa falënderoi Antonio Costan për prioritizimin e procesit të zgjerimit gjatë mandatit të tij.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin vendit tonë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”, deklaroi Begaj.

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • B*3: 02/06/2026 11:54

    Edhe pse EU ka shume probleme, preferoj te jemi shtet me te drejta te plota ne BE. Nuk do te na e bej me kush me gisht, nuk do te na trajtoj me asnje si te ishim kafshe sa here arrijme neper dogana apo aeroporte dhe mbi te gjitha, Greqia dhe Serbia nuk do te guxojne te gricen me me ne dhe me nacionalizmat e tyre idiote. O ka qene i mbivleresuar komuniteti grek ne Shqiperi, o s'ka ne bote.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?