ELBASAN- Vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj u bënë pjesë e "Funar Fest 2026", një nga aktivitetet më të rëndësishme verore që promovon turizmin.

Me kete rast u njoftua nisja e fazës së dytë të projektit ndërkufitar "Krushevë dhe Elbasan – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë".  Në ceremoni mori pjesë dhe Kryetari i Komunës së Krushevës, Niko Choneski, duke konfirmuar bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy bashkive.

Faza e dytë e projektit parashikon ndërtimin e Parkut të Aventurës në Funar dhe hapjen e 13 kilometrave shtigje të reja malore, të cilat do të jenë të aksesueshme për këmbësorët dhe çiklistët, duke pasuruar ofertën turistike të zonës.

"Sot kemi edhe një event tjetër të rëndësishëm, fillimin e fazës së dytë të projektit IPA Cross Border me Bashkinë e Krushevës. Është viti i dytë që miqtë tanë nga Krusheva marrin pjesë në aktivitetet tona dhe kjo tregon partneritetin e fortë që kemi ndërtuar", tha Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Projekti zbatohet nga organizata "Tjetër Vizion" në kuadër të Programit IPA III të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri.