Shqipëria bën pjesë në listën me 75 shtete nga e gjithë bota, për të cilat DASH, njoftoi të mërkurën (14 Janar) se do tu pezullohet dhënia e vizave të emigrimit. Selia diplomatike amerikane në Tiranë ka shpjeguar në faqen e saj zyrtare se çfarë efekti do të ketë ky vendim që prek edhe shqiptarët.
Intervistat për viza emigrimi do vijojnë edhe pas hyrjes në fuqi të vendimit
"Aplikantët për vizë emigrimi që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por gjatë kësaj periudhe pezullimi nuk do t’u lëshohen viza emigrimi këtyre shtetasve", sqaron Ambasada.
Personat që kanë një shtetësi tjetër, që nuk rezulton në listën me 75 vende përjashtohen nga vendimi i DASH
"Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i përfshirë në listën e mësipërme përjashtohen nga ky pezullim." shkruan artikulli sqarues në faqen e ambasadës.
Vizat që janë dhënë deri tani nuk revokohen
Në vijim të shpjegimit të efekteve të vendimit për pezullimin e vizave të emigrimit Ambasada amerikane shpjegon: Asnjë vizë emigrimi nuk është revokuar si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë në Departamentin të Sigurisë Kombëtare (DHS).
Vizitat dhe turizmi drejt SHBA vijojnë lirshëm dhe normalisht
"Jo, ky pezullim vlen specifikisht për aplikantët për vizë emigrimi. Vizat turistike janë viza joemigruese", shpjegon selia diplomatike amerikane në njoftimin e saj në faqen zyrtare.
Ambasada amerikane thkeson në nisje të sqarimit në faqen e saj duke cituar Presidentin e SHBA, Donald Trump, se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetëqëndrueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët.
Postimi i ambasadës amerikane në Tiranë
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e vizave për emigrantët nga 75 shtete, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor përjashtohet vetëm Serbia. Shtëpia e Bardhë deklaroi se ndalimi i përpunimit të vizave për emigrantët nga administrata Trump do të nisë nga 21 janari dhe do të jetë në fuqi derisa SHBA të sigurohet që emigrantët që vijnë nga këto vende nuk do të bëhen barrë publike ose nuk do të nxjerrin pasuri nga taksapaguesit amerikanë.
Komente







