Turizmi në Shkodër, Ademi për Report Tv: Zgjatja e sezonit deri në nëntor, kosto shtesë
Ky ka qenë një sezon i vështirë turistik, por jo negativ. Kështu deklaroi kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi në një intervistë për Report Tv. Nga të dhënat paraprake llogariten rreth 36 për qind më pak turistë se një vit më parë. Ajo kritikoi vendimin e qeverisë për të shtyrë sezonin deri më 15 nëntor pasi sjell kosto shtesë për operatorët privatë.
Ergys Kavaja 2 Shtator 2020, 17:07 | Përditesimi: 2 Shtator 2020, 17:42
Sezoni turistik ne Shkodër u shoqërua me problematika për shkak te situatës se krijuar nga COVID-19. Në një intervistë për Report Tv, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi është shprehur se ky sezon pavarësisht situatës nuk mund të cilësohet negativ.
“Kemi hasur një problem shumë të madh që lidhej me zgjatjen e kohës së funksionit të sezonit turistik. Kjo ka bërë që detyrimet për funksionimin e sezonit turistik të çojnë në një rritje të kostove të biznesit”,- tha kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Ademi tha se bizneset në bregdetin e Velipojës hasën vështirësi edhe për shkak të shembjeve nga IKMT-ja.
“U shkatërruan të gjitha beach-baret. Ne kemi vijuar menjëherë me procedurën e aplikimit online për dhënien e lejeve të reja, duke siguruar që të gjithë operatorët që kishim marrë stacionet e plazhit ti vendosin në funksion. Nuk bënte sens ai shkatërrim”,- tha Ademi.
Bashkia ka asistuar bizneset për plotësimin e dokumentacionit për stacionet e plazhit, të cilat këtë vit i kaluan si kompetencë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Këto kompetenca u shpreh Ademi kane krijuar probleme në Velipojë.
“Kemi parë problematikën e plazheve. Përgjegjësitë u hoqën nga bashkia dhe shkuan tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, por mendoj se bashkia duhet të kenë ekskluzivisht të drejtën dhe përgjegjësinë për ta menaxhuar”,- shtoi ajo.
Sipas të dhënave paraprake të Bashkisë Shkodër, këtë sezon turistik ka pasur rreth 36% me pak turistë se një vit me parë. Ndërkohe që vizitorët më të shumtë kanë qenë turistë vendas nga Shqipëria, Kosova dhe Trevat shqipfolëse.