PRISHTINË- Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, u takua sot në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë me ambasodoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan.
Gjatë takimit temat e diskutimit kishin të bëjnë me situatën e përgjithshme në Kosovë dhe me përparimin e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bëhet e ditur në njoftimin e KFOR-it.
Takimi i mbajtur në Prishtinë ishte një mundësi për gjeneralin Figliuolo që të vë në pah praninë tradicionale të Turqisë në rajon dhe në veçanti rolin e rëndësishëm që Turqia sot po e luan në fushën e zhvillimit ekonomik të të gjithë territorit, si dhe kontributin profesional dhe konkret që jep në KFOR për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Aktualisht, Turqia është një nga shtetet më të rëndësishme kontribuese në KFOR, me më shumë se 350 ushtarë të zbarkuar në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it dhe ambasadorja turke vlerësuan lart rëndësinë e kontributit të KFOR-it, si reagues i tretë, për të mbështetur Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën, konform Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve të ngjashme, të cilat komandanti i KFOR-it i mban për të pasur një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj situatës së përgjithshme në Kosovë./ATSH/