Zëvendës Kryeministri i Turqisë, Ali Babaxhan, njoftoi se që nga data e sotme Turqia ka marrë kryesimin e G20-ës, raporton Anadolu Agency (AA).Babaxhan ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka njoftuar marrjen e presidencës nga Turqia. Babaxhan i cili ka deklaruar se duke filluar që nga dita e sotme Turqia ka marrë presidencën e G20-ës, ka theksuar se krijimi i këtij forumi ka si qëllim sigurimin e stabilitetit ekonomik global dhe për të promovuar sigurimin e shkëmbimit të pikëpamjeve joformale mes vendeve.  

Babaxhan ka deklaruar se vendimi për themelimin e këtij forumi është marrë në mbledhjen e mbajtur më 25 shtator 1999 në Washington dhe krahas Turqisë anëtarët e G20 janë: Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Babaxhan gjithashtu ka rikujtuar se vendi që merr presidencën e G20-ës ka të drejtë të ftojë 5-6 vende të tjera me cilësinë e vëzhguesit në këtë forum. Ai theksoi se Turqia ka ftuar disa vende si Spanjën, Singaporin, Azerbajxhanin, Bashkësinë e Kombeve të Azisë Jug-Lindore (ASEAN), Unionin Afrikan dhe kryesuesit e lëvizjes me emër Partnerët e rinj për Zhvillimin Afrikan.

Babaxhan ka pohuar se deri tani janë zhvilluar 9 samite dhe se samiti i 10-të do të zhvillohet vitin e ardhshëm më 15-16 nëntor në qytetin Antalja. Ai ndër të tjera ka deklaruar se G20 nuk ka një sekretari të përhershme dhe se çdo vit një vend merr presidencën ku organizon edhe mbledhjet edhe në njëfarë mënyre kryen detyrën e sekretarisë.

Babaxhan thekson se detyra e presidencës nuk është vetëm përgatitje e ambienteve, por në të njëjtën kohë praktikisht është marrja e të gjitha përgjegjësive teknike për G20 dhe sigurimi i koordinimit mes 20 anëtarëve që përmban gjithashtu një element të rëndësishëm.