TURQI - Dorëheqja e kryeministrit turk Ahmet Davutollu e ka hedhur Turqinë në një krizë politike. Dorëheqja e Davutollus është një lëvizje procedurale, pasi pritet që Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan të kërkojë nga Davutollu krijimin e një qeverie të re, megjithëse e ardhmja politike e Davutollus mbetet ende e paqartë. 
Pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, qeveria e re që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdogan duhet të krijojë do të jetë një qeveri koalicioni, për herë të parë nga viti 2002. 

Nëse nuk arrihet një qeveri koalicioni, atëherë Turqia do të drejtohet për disa kohë nga një qeveri minorance, deri sa te zhvillohen zgjedhjet e reja. 

Deri më tani, tre partitë opozitare kanë treguar pak entuziazëm për të krijuar një koalicion me partinë në pushtet. Partia Lëvizja nacionaliste, më e mundshmja për të krijuar një koalicion, e ka hedhur poshtë këtë mundësi. Kreu i Partisë Demokratike Popullore e minoritetit kurd, që arriti të marrë pothuajse 14 përqind të votave, e ka refuzuar menjëherë mundësinë e një koalicioni me partinë në pushtet.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)