Turqia nuk ndryshon ligjet
kundër akteve nga terroristët

Turqia nuk ndryshon ligjet<br />kundër akteve nga terroristët
Turqia sfidoi hapur presionin e Bashkimit Evropian për të ndryshuar ligjet e saj antiterror, duke thënë se sulmi terrorist në aeroportin e Stambollit tregon qartë se qëndrimi i ashpër ndaj këtij fenomeni është rruga e duhur. Zyrtarë turq që gjenden në Bruksel për bisedimet e radhës për anëtarësim në BE, që zgjat prej dekadash, thanë se unioni ka nevojë më shumë se kurrë për peshën ekonomike dhe gjeopolitike të Turqisë, sidmos pas largimit britanik. 

BE-ja përsëriti qëndrimin e njohur se Turqia duhet të ndryshojë ligjet antiterror që sipas Brukselit kufizojnë lirinë e shprehjes dhe lejojnë arrestimin e aktivistëve për të drejtat e njeriut, por Ankaraja nuk dha as edhe një shenjë lëkundjeje në këtë drejtim. "Turqia po lufton sot kundër terrorizmit. Kërkesat e reja ndaj Turqisë do të inkurajojnë terroristët. Prandaj ne nuk mund të bëjmë asnjë ndryshim në ligjet tona antiterror”, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. 
Bashkimi Evropian e ka lidhur ndryshimin e ligjeve turke antiterror me progresin e vendit drejt unionit, por në këtë drejtim nuk është shënuar asnjë progres. Zyrtarë turq thanë se Turqia do të jetë një aset i rëndësishëm për BE-në, por theksuan se Evropa duhet t’ia nisë nga fillimi dhe ka nevojë për një vizion të ri që të përfshijë edhe Turqinë.
 
Shkaqet
Mund të kenë qenë pikërisht politikat e jashtme turke ato që i hapën derën sulmit terrorist në aeroportin Ataturk të Stambollit dhe atmosfera e tensionuar që ka përfshirë të gjithë Turqinë, më shumë gjasa do të vazhdojë të zgjasë edhe për disa kohë. Në kohën kur vendi përballet me pasojat e episodit të dhunshëm të së martës mbrëma, disa analistë e vënë gishtin e fajit tek përpjekjet e fundit diplomatike të Ankarasë për sulmin e përgjakshëm që erdhi pak pasi Turqia dhe Izraeli shpallën fundin e hasmërisë së tyre 6-vjeçare dhe presidenti Erdogan shprehu keqardhje për rrëzimin e avionit rus në muajin nëntor, çka i hapi rrugën pajtimit me Moskën, aq të domosdoshëm sidomos për turizmin e goditur turk. “Sulmi ka të gjitha shenjat e nja hakmarrjeje të ISIS-it, është si të thuash ndërmarrja e një aksioni paraprak ndaj Turqisë. Mendoj se njëri prej mesazheve që ai përcjell është ideologjik: Përse po pajtoheni me një forcë që në sytë tanë, është armike e Islamit?”, thotë Barcin Yinanc, analiste politike, Stamboll.

Goditje të tilla zakonisht janë të planifikuara që përpara, çka do t’i ulte shumë mundësitë që sulmi në aeroport të ketë qenë pasojë e lëvizjeve të qeverisë për normalizim të marrëdhënieve. Për Murat Yetkin, kryeredaktor i të përditshmes “Hurriyet”, ngjarja nuk është çudi të jetë rrjedhojë e politikës turke në Sirinë fqinje, ku ajo është shfaqur si aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik.
“Politika e jashtëm turke ka pasur disa ulje-ngritje këto vitet e fundit. Shumë njerëz, partitë e opozitës dhe organizata joqeveritare e akuzojnë ekzekutivin se është politika e tij në Siri ajo që po i shkakton defektet e sigurisë”, tha Murat Yetkin, kryeredaktor “Hurriyet”.
Zyrtarët turq identifikuan një ditë më parë tre kamikazët që lanë pas vetes 44 të vrarë dhe rreth 240 të plagosur në aeroportin e Stambollit. Ata janë nga Rusia, Uzbekistani dhe Kirgistani. Avionët turq ndërkohë, mëngjesin e sotëm goditën e shkatërruan disa shënjestra të militantëve të Partisë së punëtorëve të Kurdistanit në Irakun Verior.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur