TVSH-ja rriti çmimet e barnave
Rritja mesatare, 7 deri 10% në vit

TVSH-ja rriti çmimet e barnave<br />Rritja mesatare, 7 deri 10% në vit
TIRANE - Që nga viti 2010, kur qeveria Berisha vendosi TVSH prej 10% mbi barnat, çmimet e tyre janë rritur mesatarisht 7-10% në vit, duke e kaluar barrën te konsumatori, që, nga ana e tij, ka reaguar, duke ulur konsumin.

Kriza po prek dhe një produkt të domosdoshëm për shëndetin e njeriut, siç janë barnat. Shqiptarët po blejnë më pak ilaçe në sasi, ndonëse janë të detyruar që të paguajnë më shumë për to, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve gjatë viteve të fundit. Tregu i produkteve farmaceutike kishte gëzuar rritje dyshifrore në dekadën e fundit deri në vitin 2011, kur ai nisi të ndalet për shkak të efekteve të krizës globale dhe rritjes së çmimeve të barnave.

Sipas të dhënave nga INSTAT-i, në vitin 2012 janë importuar rreth 16.9 miliardë lekë, me një rritje prej afro 6% në raport me një vit më parë. Por, rritja e importeve në vlerë ka ardhur kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të ilaçeve nga vendosja e TVSH-së prej 10% për barnat në vitin 2010 (më parë ato kishin TVSH zero). Shifrat zyrtare konfirmojnë se, në sasi, importet kanë pësuar rënie, duke u reduktuar me 4% në raport me vitin 2011. Në total, gjatë vitit të kaluar, janë importuar rreth 3.5 milionë kg ilaçe.

Ndonëse kur u vendos TVSH e ilaçeve prej 10% u tha se kjo ishte një masë për të luftuar abuzimet dhe informalitetin tek shpërndarësit e mëdhenj, që do të disiplinonte tregun pa rritur çmimet, ne fakt ka ndodhur e kundërta. Që nga viti 2010, ato janë rritur mesatarisht 7-10% në vit, duke e kaluar barrën te konsumatori, që nga ana e tij ka reaguar duke ulur konsumin.

Të dhënat e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) të INSTAT-it tregojnë një rritje të vazhdueshme të çmimeve të pakicës së medikamenteve dhe produkteve të tjera farmaceutike, që nga viti 2010, kur u vendos që edhe barnat të ngarkoheshin me një TVSH prej 10%.

Tregu mbetet i fokusuar tek importi, që zë rreth 95% të totalit të tij, ndërkohë që prodhimi vendas mbulon 3-5% të tij. Deri në 30% e totalit të tregut farmaceutik është i mbuluar nga rimbursimet e barnave shtetërore. Sipas përllogaritjeve dhe të dhënave nga operatorët, konsumi i produkteve farmaceutike për frymë në Shqipëri është rreth 60 euro/vit, një nga më të lartit në Europë.

Në këtë sektor, duket se shqiptarët mbeten një “pararojë”, pasi shumica e tyre i konsumojnë medikamentet “pa kriter”, pa receta mjekësore.
Ndërkohë që tregu me pakicë i farmacive është i kontrolluar mirë nga Ministria e Shëndetësisë, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për importuesit e mëdhenj, pasi është e vështirë për të kontrolluar çmimet e blerjes në vendet importuese. Përpjekja e qeverisë për të kontrolluar këtë treg duke imponuar një TVSH 10% nuk ​​ka qenë e suksesshme, pasi kjo vlerësohet të ketë rritur kontrabandën e barnave nga Greqia dhe Italia, sipas operatorëve.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, numri i farmacive në vend ka vijuar të rritet, në kushtet kur ky treg është i liberalizuar dhe nuk ka asnjë kufi për distancën ndërmjet subjekteve.

“Është shënuar një rritje në numrin e farmacive, me 8% në vitin 2012 kundrejt vitit 2011. Por ndërkohë që disa farmaci janë hapur, të tjera janë mbyllur. Është fakt tashmë se po shtohet numri i farmacive që po detyrohen të mbyllin aktivitetin si pasojë e një tregu të çorganizuar dhe me një numër të lartë abuzuesish”, tha presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari.

Ajo që është vënë re gjatë viteve të fundit në tregun e medikamenteve është rritja e ndjeshme e konkurrencës nga importuesit më të mëdhenj që kanë rritur pjesën e tyre të tregut, ndërsa depot farmaceutike dytësore kanë pakësuar ndjeshëm aktivitetin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Veliaj në pritjen zyrtare për 112-vjetorin e Pavarësisë: Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira! Nuk kemi kohë për të humbur

Veliaj në pritjen zyrtare për 112-vjetorin e Pavarësisë: Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira! Nuk kemi kohë për të humbur