Pas një numri të lartë të ankesave nga ana e biznesit të vogël lidhur me vështirësitë administrative që u lindin pas hyrjes në sistemin e TVSH-së, duket se Tatimet janë vënë në lëvizje për të thjeshtuar procedurat. Këtë e ka bërë të ditur dje drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, gjatë inspektimit në Këndin e Asistencës pranë Shërbimit të Tatimpaguesve në Tiranë, në kuadër të fushatës informuese për bizneset e vogla që janë përfshirë në skemën e TVSH-së.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se po punohet për të përgatitur një deklaratë të thjeshtuar të TVSH-së, e cila nuk do të ketë të gjitha rubrikat që mbart apo ka një deklaratë standarde e TVSH-së dhe kjo për t’i ardhur në ndihmë të gjithë tatimpaguesve gjatë këtij procesi.
Ajo çka u ka krijuar shumë vështirësi bizneseve të pamësuara deri tani me këtë procedura ka qenë pikërisht moria e kërkesave për deklarime, që ishte njësoj, si për biznesin e madh, ashtu edhe për një dyqan lagjeje. Ndërkohë që për të parin procedura e ndërlikuar është e justifikuar, por ata kanë edhe mundësitë për të pajtuar ekspertë kontabilistë, apo mund t’i kenë vetë në stafet e tyre, për më të vegjlit kjo krijonte kosto shtesë.
Këshillimi
Ende nuk dihet nëse do të jenë në gjendje t’i plotësojnë vetë bizneset e vogla formularët e deklarimit të thjeshtëzuar apo jo, megjithatë Tatimet kanë nisur një fushatë informimi për detyrimet që rrjedhin nga rregulli më i fundit ligjor, i cili ka hyrë në fuqi më 1 prill. Gjatë fjalës së saj, Vjero tha se Administrata Tatimore ka dëshmuar gadishmëri dhe anagazhim maksimal të të gjitha strukturave tatimore gjatë pranimit të rreth 9.900 tatimpaguesve në skemën e TVSH-së. “Ky është një moment pune i përditshëm, i cili reflektohet në të gjitha drejtoritë rajonale, pranë Këndeve të Asistencës të dedikuara për tatimpaguesit e vegjël, ku të gjithë punonjësit janë të gatshëm për të ndihmuar këtë kategori për t’u përshtatur me ndryshimet e reja ligjore”, tha znj.Vjero gjatë fjalës së saj.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve tha se deri tani nuk janë konstatuar kërkesa të shumta nga tatimpaguesit e vegjël për t’u çregjistruar apo kaluar pasiv, çka dëshmon se ata po marrin të gjithë asistencën e nevojshme dhe janë duke vijuar punën e tyre pranë vendit ku zhvillojnë aktivitetin. Ajo ftoi tatimpaguesit që për çdo lloj paqartësi t’i drejtohen Këndit të Asistencës ku do të jenë gjithmonë të mirëpritur. Tashmë, funksionojnë 13 të tilla në çdo drejtori rajonale. “Deri më sot ne kemi zhvilluar vizita në mbi 5.700 biznese, nga 9.975 që janë përfshirë në skemë. Por puna ende vazhdon në territor për t’i kontaktuar e trajnuar të gjithë tatimpaguesit”.
Ndëshkimi
Ndërkohë, kreu i Administratës Tatimore, nga ana tjetër, përsëriti se Tatimet nuk do të jenë të ashpër me penalitete për deklarata të gabuara gjatë momentit të plotësimit, të paktën deri në fund të këtij viti. “Qëllimi ynë është të parandalojmë në kohë të gjitha problematikat dhe prandaj edhe kemi ngritur Këndet e Asistencës, po zhvillojmë takime të dedikuara pranë tatimpaguesve apo edhe sesione të shumta trajnimi dhe informimi jo vetëm me tatimpaguesit, por edhe me këshilluesit e tyre financiar, pasi janë të shumtë ata tatimpagues që kanë zgjedhur që detyrimet e tyre të shikohen nga një studio kontabilitete apo financierë”, përfundoi Vjero.
Koha e te qenit injorant dhe te berit biznes ka ikur...buznesi nuk eshte thjesht tregeti mere 5 dhe shite 7
Përgjigju