Katër ditë nga tërmeti, ankthi nuk është shuar. Njerëzit që pësuan dëme nga tërmeti kanë zgjedhur të largohen nga banesa, disa për shkak të dëmeve të shumta në banesë e një pjesë tjetër për shkak se nuk pranojnë që qëndrojnë në banesa për shkak të tmerrit që kanë përjetuar.
Ata tregojnë edhe ndjesitë e para pas tërmetit, dhe ku kanë zgjedhur të strehohen.
Të qarat e Ameisit një ditë pas lindjes së saj, do të mbeten të pashlyera në memorien e së ëmës.
Frikën që përjetoi nga tërmeti i mëngjesit të 26 Nëntorit, gruaja e re e përcolli fatkeqësisht dhe tek e bija, fëmija i saj i parë, të cilën u desh ta nxirrte menjëherë nga dhoma e maternitetit, ndonëse ajo ishte në gjumë. Sot, 6 ditë nga lindja e vajzës, ajo tregon se çfarë përjetoi atë mëngjes të marte.
“Isha në dhomë bashkë me vajzën. Sapo kam ndjerë tërmetin nuk kam menduar asgjë veç të nxjerr vajzën nga dhoma e të dal jashtë. Fatmirësisht pranë vetes pata nënën time. Iu drejtuam shtëpisë, por paniku për një tërmet të dytë na detyroi ta braktisnim menjëherë e bashkë me vajzën e vogël kemi qëndruar në makinë”, kujton mamaja e Ameisit.
E akomoduar në një nga dhomat e hotel “FAFA” çifti i ri duket i qetë. Ameisi nuk e ka parë ende dhomën e saj të re që ja kanë përgatitur prindërit, por në ambientet e qendrës akomoduese asaj i janë krijuar të gjitha kushtet.
“Na kanë sjellë çdo gjë, që nga qumështi artificial, pampersat, veshjet, çdo gjë që i duhet vajzës”, tregon nëna e saj. Bashkë me Ameisin në qendrën akomoduese “FAFA”, janë dhe 5 foshnje të tjera që kanë lindur këto ditë.
Zvministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi, si përgjegjëse për strehimin e caktuar nga Shtabi i Emergjencës thotë se në dispozicion të qendrave akomoduese janë vendosur ekipe të mjekëve specialistë që do të ndjekin ecurinë e shëndetit të personave të akomoduar, përfshi dhe foshnjat e porsalindura.
“Mbrëmjen e së shtunës në dy qendrat akomodouese në Golem do të mbërrijë një grup i specializuar nga Tirana që do të ofrojnë një konsultor për fëmjën dhe një për nënën. Gjithashtu do të hapen kartelat e foshnjave për të ndjekur në mënyrë periodike vaksinimin e tyre. Kjo do të bëhet në të gjitha qendrat akomoduese”, thotë zv/ministrja Çuçi.
Ndërsa ushqehet me qumështin e së ëmës, Ameisi na mbush të gjithëve me shpresën për triumfin e jetës.(Lexo.al)
I fortë, me ballin e shkruar nga hallet e jetës, Shyqyri Greku tregon momentin e tmerrit që ka kaluar më 26 nëntor e që i mori dhe tre të afërmit e tij. Lotët i janë tharë, zemra i është ngrirë e sot falenderon Zotin që e shpëtoi, pasi ishte krejtësisht i vetëm në shtëpi. Mes panikut, errësirës, këmbët që e braktisën për një moment, por fqinjët e tij jo, Shyqyriu arriti të dilte jashtë, por përballë tij pa që pallati fqinj t'i shkërmoqej përpara syve, aty ku jetonin dhe të afërmit e tij, Pëllumb, Çelike dhe Saimir, që sot nuk janë më.
"Më është vrarë djali i vëllai, nusja e djalit të vëllait dhe vëllai i vetë. Kanë qenë në pallat tjetër, por i kam në gjakun tim! Pallatin tjetër pat tre viktima, këtu ku isha unë shpëtuam, sa ra tërmeti u shëmb, nëpër shkallë na zuri. Isha vetëm, pamë tmerr me sy! U rrëzova, më ngritën fëmijët e tjerë prej krahu, ishte errësirë e madhe, m'u fikën dritat. Këtu janë kushtet e mira, por Zoti na ka në dorë", shprehet Shyqyri Greku.
20 vite i kanë kaluar bashkë, në pallatin fatkeq, nuk kanë pasur asnjë lidhje gjaku, thjesht shtëpitë kanë pasur ngjitur. Fqinjët tregojnë se e kanë përjetuar shumë keq ndarjen nga jeta të miqve të tyre, me të cilët kanë ngrënë e kanë pirë bashkë për vite me radhë. Një prej tyre tregon se ka dëgjuar thirrjet e Hajrie Vatës me djalit të saj për ndihmë, por e kishte të pamundur që t'i ndihmonte.
"Kam qenë të pallati ku ka pasur më shumë viktima. Kam qenë në kat të pestë. As vetë nuk e di. Kur ka pushuar gjithçka kam dalë, dy pjesët e anës pallati është shembur direkt. Kur dola unë e pashë pallatin e shembur. Nga unë s'kam pasur viktima. Kam dëgjuar Hajrie Vatën dhe djalin e vet në krah, e kam zbuluar,por nuk e ndihmova dot se i kishte rënë trau sipër. S'po e marr veten, më janë tharë lotët. Ato njerëz ishin komhinjtë e mij, kam 20 vite, kam nejt, kam ngrënë. Unë isha me gruan, 2 kalamajt dhe nënën. Nëna ka pësuar një traumë, e kam çuar te njerëzit e vet. Kushtet janë mirë", tha një nga fqinjët.
"Ka qenë tmerr, nuk e di çfarë mund të them. Kur dolëm jashtë, kishte mbarur ajo lufta e madhe. Gjak nuk i kam pasur, por sikur ti kem pasur nipa, më ka ardhur keq. Se kur e njeh të vika keq dy herë. Se me qenë kryeministër djali im, nuk ka ça bën. Të flasim realitetin", tregon tjetri.
Kur kthehen pas, tek momenti i tmerrit, askush nuk di të thotë se si ka arritur të dalë jashtë. Ky moment u është fshirë nga memoria, por kanë parë se shtëpia e tyre, shumë kujtime brenda atyre mureve, mundi i viteve të tëra është shembur për vetëm 30 sekonda. Sot kanë vetëm rrobat e trupit me vete dhe shpresën se shumë shpejt do të kenë një godinë të re ku mund të fusin kokën.
"As vetë nuk e di si kam dalë, isha vetëm. u tremba, dola, nuk e di as vetë me nxorri kunati dhe dola. Jam e tronditur, më merren mend, Dua të më bëhet një shtëpi, që të jetoj këto ditë që më kanë mbetur, Jam e vetme, më ka vdekur burri para disa vitesh".
"Na ka rënë gjumë. Kur ra i pari, qëndruam. Kur ra i dyti me vrap dolëm jashtë. Nuk di si kam dalë jashtë. Vetëm këto që kam veshur kemi marrë", shprehen banorët.
Banoret e prekur nga tërmeti në Thumanë, por edhe të Kurbinit e Lezhës janë strehuar në Shëngjin e po trajtohen me shërbim mjekësor dhe psikologjik, pasi gjendja e tyre shëndetësore paraqitet mjaft e rënduar. 700 banorë janë akomoduar deri më tani në këtë zonë turistike.
Një e moshuar rreth 72-vjeç, e quajtur Zezie Jonuzi, ka rrëfyer për Report Tv të gjithë tmerrin e të martës në mëngjes ku tërmeti tundi themelet e banesës së saj dhe Shqipërinë. Banesa e 72-vjeçares në zonën e ish Kënetës mbahet ne këmbë vetëm nga disa kolona të rrënuara dhe që kanë dalë fijet e hekurit jashtë.
Zazie thotë për mikrofonin e Report Tv se jeton e vetme dhe se natën kur ra tërmeti nga frika doli deri tek dera por nuk mundi më gjatë. Ajo shton më pas se ka qenë një komshija e saj që e ka tërhequr nga dora dhe ka zbritur shkallët deri në fund të oborrit.
Me lot në sy Zaza tregon se atë natë u detyrua sërish të kthej në banesë, ndërsa më pas ajo i kalon ditët tek djali tjetër që ka pranë. ndërsa për djalin që jetonte me të tregon se ka ikur jashtë shtetit për shkak të papunësisë duke e lënë të vetme në banesë.
"Fëmija iku, se di se ku iku. ishte pa punë dhe iku. Ça do bëjmë ne. Këtë se kam pagu. Borxh e kam bo. Ka 11 vite qe e kam bo. Atë natë isha vetëm. Dola ke porta, dridhesha. Ishte plotë rruga me njerëz. Kisha frikë. Më thonin hajde poshtë kisha frikë. Më mori komshija për dore. Erdhi çuni i çunit më pas. Të çuni e kam kalu. " Zezie Jonuzi.
Ndërkohë pas verifikimeve nga inspektorët, banesa e të moshuarës është shpallur e pabanueshme.
Një banor nga Lezha i cili ka lënë banesën si pasojë e dëmeve nga tërmeti tregon si e ka përjetuar momentin e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë. Ai thotë se tronditja ka qenë mjaft dhe ka nxituar të dalë jashtë duke marrë edhe familjarët.
"Unë jam me 6 anëtarë. Kemi parë tmerr atë natë. Na ishte mbyllur dera. Kam ulëritur në gjithë lagjen. Kam tërhequr gocën dhe gruan. Tani jam në Mamurras. Kemi parë tmerr. Shyqyr e kam gjumin e lehtë. Kam bërtitur kam thënë dilni përjashtë se na zu brenda tërmetit. Na kanë ofruar banesa. Në çadër nuk mund të rrimë. Aty kishte ujë. Batanije kishte por na lageshin. I bëmë kërkesë kryetait të bashkisë erdhi na mori"
Një bar restorant në Kukës ka hapur dyert për familjet e prekura nga tërmeti. Një qytetar nga Durrës tregon se ka gjetur një strehë të ngrohtë dhe do vijojë të qëndrojë atje derisa të largohet rreziku.
"Vij nga Durrësi. Kemi tre ditë këtu. Kemi gjetur një strehë të ngrohtë. Vijmë nga një torturë e madhe por këtu gjetëm një strehë të ngrohtë. Patëm oferta edhe nga të afërmit. Kukësin po e shkel për herë të parë. Tani jam bërë qytetar i këtij qytetit dhe tani do vij më shpesh. Këtu fëmijët gjetën qetësi shpirtëore. Të harrojnë atë që përjetuam atje. Do vazhdojmë të qëndrojmë derisa gjendja të stabilizohet por Kukësi do të mbetet një kujtim i veçantë në jetën tonë", thotë banori.
Themele të dëmtuara, mure të çara dhe 86 familje në qiell të hapur. Sikur të mos mjaftonte tërmeti i 21 shtatorit, ky pallat ka marrë goditjen më të fortë edhe nga ai së martës duke e bërë të pabanueshme. Dy histori të tjera na vijnë nga qyteti i Durrësit, nga një prej të shumtët pallate që kanë pësuar dëmtime serioze nga tërmeti i së mërkurës. Gazetarja Xhensila Kodra ka intervistuar dy kryefamijlarë që tregojnë tmerrin me sy që kanë përjetuar,e ndërsa bëjnë shkaktar kryesor pronarin dhe inxhinierin për punime në cilësi të dobët.
Njëri prej tyre është mjek. Ai detyrohet që të bëjë mijëra km rrugë drejt Tales së Lezhës, aty ku ka marrë një dhomë hoteli, mik pas miku siç ai tregon. Shkon vetëm pak minuta sa të bëj një dush dhe të pushojë pak dhe më pas kthehet në krye të detyrës.
"Unë jam në katin e dytë. Kur ka rënë tërmeti kam qenë në Itali. Ishte nusja e djalit me dy fëmijë që ishin tramatizuar. isha në Itali se gruaja po bënte analizat, se ishte aksidentuar. Kur kemi ardhur këtu jemi shokuar. Djali me nusen dhe fëmijët jetojnë këtu. Pas tërmetit, marrim makinën,se gruan e kam infermiere, vetë jam doktor, ikim në Tale të Lezhë bëjmë një dush dhe kthehemi prapë nesër në punë. Kam mundin dhe djersët e 34 viteve plus 20 mijë euro që i kam marrë në bankë kredi që s'i kemi shlyer ende. Nga tërmeti i parë nuk ka pasur kaq dëme. Ka pasur plasaritje, sa i patëm rregulluar rregullimet e tërmetit të parë, ndodhi tërmeti i dytë. 20 mijë lekë naftë harroj çdo ditë. Nuk dal para pacientit duke më ardhë era djersë. Doktori është figura ku duhet të shkëlqejë figura", tha ai.
"Natën po e kalojmë në makinë se kemi plaçkat, se kemi frikë se ndodhin vjedhjet. Jemi ndarë totalisht. Po edhe në shtator kishim dëme, por u mbyll me allçi. Shpia ime ka dalë jashtë funksionit, ka dalë jashtë krejtësisht funksionit. Kemi komshinjtë ngjitur me ne, dhe ai s'ka asnjë, ku këtu është spostuar tre cm. Nga mënyra se si është punuar është katandisur kështu", tha një tjetër.
THUMANË- Pranë pallatit “te vdekjes” ku u nxorën dhjetëra trupa pa jetë, në Thumanën e gjunjëzuar nga dhimbja, qëndron Vladimir Haxhiu, i cili arriti të shpëtonte mrekullisht nga tërmeti i 26 nëntorit, së bashku me 4 anëtarët e tjerë të familjes, mes tyre dhe dy fëmijë.
65 vjecari tregon panikun e përjetuar gjatë përpjekjeve për të shpëtuar familjarët e tij, e sidomos fëmijët.
"Në këto rrënojat që janë bërë këtu, në katin e parë. Kam mbijetuar kot, fati. Kam qenë me gruan, gocën dhe dy fëmijët e saj të vegjël, një në klasë të parë dhe një në klasë të tretë. Kur dola unë, mora kalamajt, gocën dhe nusen, harrova një nga fëmijët brenda se ishte errësirë. U bë tym. Hyrja ishte bllokuar me inerte .Kam hipur sipër jam rrëzuar disa herë, goca ka vrarë këmbën”, tha 65-vjeçari.
Bashkë me familjen, Vladimiri po qëndron në çadër, në pritje për t'u shpërngulur.
“Vetë i pestë në çadër. Për veshmbathje dhe ushqime nuk vuajmë, mirë jemi. Vuaj për dyshek se po flemë përtokë. Do shpërngulemi, por nuk e di se ku”, tha ai.
Vladimir Haxhiut i qëndron pranë miku i tij, i lumtur që fati u tregua i mirë me ta.
"Nuk dua të flas vetëm për Vladimirin, më vjen keq për gjithçka ndodhi këtu dhe ndjej një keqardhje shumë të madhe sepse të gjithë i njoh”, tha ai.
Nga ky pallat ku shpëtoi Vladimir Haxhiu me familjen e tij, u nxorën pa jetë dhjetëra banorë, mes tyre familja Gregu me 3 anëtarë dhe Fatmira Çuka me Sardi Cukën, nënë e bir. Tashmë ky pallat është shembur, kanë mbetur vetëm rrënojat dhe kujtimet.
Në zonën e Spitallës në Durrës në lagjen 15 banorët e kanë të vështirë të sjellin edhe një herë përjetimet e tmerrit që kaluan në orët e para të mëngjesit të së martës, kur një tërmet 6.4 rihter me intensitet ndjeshmërie 8 ballë i goditi në gjumë. Shtëpitë e tyre kanë pësuar dëme të konsiderueshme, ku në një vilë tre katëshe njëri kat është fundosur, por fatmirësisht nuk janë shënuar viktima.
Banorë të kësaj zone shprehen për mikrofonin e Report Tv se tashmë po flenë në makina nga frika se nëse qëndrojnë në banesë mund t'i zërë brenda si pasojë e pasgoditjeve sizmike që kanë pasuar tërmetin e së martës në 03:54. Fëmijët i kanë dërguar pranë të afërmve të tyre në qytete të tjera që nuk janë prekur nga tërmeti, ndërsa vetë kanë zgjedhur të bëjnë roje nate duke fjetur në makinë, nga frika se mund t'i vjedhin ato pak orendi që kanë në banesa.
Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, solli rrëfimet e të shpëtuarve nga tërmeti në emisionin "Pa Gjurmë", me moderatore Odeta Dumen.
Një zonë dhe një zotëri kanë dy netë rresht që gjumin e bëjnë në makinë. fëmijët i kanë çuar tek të afërmit e tyre, ndërsa nuk kanë ndërmend ta lënë vetëm shtëpinë nga frika e njerëzve që këto fatkeqësi i shfrytëzojnë për të vjedhur. Zonja ka pësuar dëmtime teksa ende i duket syri i nxirë nga dollapi që i ra sipër.
"Aman më mirë të mos e përjetoj atë. U ngrita në orën tre, mu plasën dollapi, xhamat, u bëmë copë, fëmijët i kemi nisur gjithandej, e rrimë këtu se kemi frikën e fëmijëve, mos u tregoftë kjo lemeri që kemi kaluar. Jemi vrarë nga gjërat që na u rrëzuan në shtëpi, nuk futemi dot se kemi frikë. ndodheshim në katin e dytë. Nuk hapeshin as dyer asgjë, kaluam tmerr, nuk e imagjinon dot. Të shikojmë çfarë do bëjmë, nuk lëvizim që këtu, ku të vemi, ku t'i lëmë shtëpitë. Nuk ikim, kemi nisur vetëm fëmijët e vegjël, i kemi dyert hapur, na marrin ato cik gjëra. Na tmerruan, na thanë do bie tërmet, nuk ikëm, këtu jemi", tha zonja për gazetaren Xhensila Kodra.
Ledion Harizaj jeton në një vilë tre katëshe në zonën e Spitallës, ku një kat është rrënuar. Ai tregon se si bashkë me gruan dhe fëmijët mundën të shpëtojnë pa dëmtime.
"Tërmet i paparë, kur mbaroi tërmeti hapëm derën, dolëm përjashta. tmerr i paparë ç'të të them, nuk e di as vetë. Isha në shtëpi në kat të tretë me gruan dhe fëmijët. Direkt sa u trondit ikën dritat. Natën e kemi kaluar në makinë, fëmijët i kemi dërguar në Ersekë. Kam marrë edhe plaçkat që kam brenda se kanë filluar edhe vjedhin. kam gati 11 vjet që e kam ndërtuar shtëpinë. po kam frikë të hyjmë në banesë. Nga tërmeti i parë nuk kishte fare probleme shtëpia, asnjë plasje. asnjë gjë. me këtë tërmet u rrëzua komplet", tregoi Ledion Harizaj.
Një tjetër vilë 5 katëshe në këtë zonë ka pësuar dëme të mëdha materiale, brenda së cilës kanë qenë 8 persona.
Manjola Rizaj: Isha në katin e katër, unë burri dhe dy fëmijët. Në kat 2 vjehrra, vjehrri dhe dy kunetërit. Fëmija ishin në gjumë, në tërmetin e parë thamë hë se është i lehtë. Në të tretin nuk hapeshin dyer. Jemi shumë të frikësuar. Tmerr.
DURRËS - Violeta Doda është një dëshmi e gjallë e tmerrit të përjetuar nga tërmeti që shkundi Shqipërinë të martën në 03:54 të mëngjesit. Ajo është 53-vjeçare me profesion mësuese, ndërsa punon edhe tek Kryqi i Kuq, që është shumë afër pallatit që u shemb, në lagjen 18 në Durrës.
Ajo ka mundur të dalë së bashku me dy fëmijët e saj dhe të emën nga një vrimë e mbetur e hapur në dhomën e tyre të gjumit.
Hapësira nga gruaja shpëtoi familjarët e saj
Violeta është kryefamiljare dhe jeton me qira në një apartament në katin e dytë. Në momentin e tërmetit ajo thotë se ka qenë në gjumë me njërin nga fëmijët, ndërsa djali që flite në kuzhinë ka ardhur me shpejtësi në dhomë. Nuk kanë lëvizur derisa kanë mbaruar lëkundjet ndërsa kanë mundur të dalin nga rrënojat vetëm falë një hapësire të vogël të mbetur pa zënë nga betoni nga dhoma e gjumit.
"Isha me dy fëmijët bashkë me mamanë time, qëndruam aty derisa mbaroi tërmeti. Kemi dalë. Ka qenë një moment shumë i vështirë. Nuk e di, Zoti na bashkoi të katërt bashkë, kam nxjerrë djalin e vogël 10 vjeç para Enea, pastaj kam nxjerrë djalin e madh 14, vet kam qëndruar duke nxjerrë mamanë. Gjendja ka qenë shumë e rëndë. Kemi dalë duke kërkuar ndihmë. Na ka ndihmuar dikush edhe nga një pallat tjetër, nuk e njihja. Pastaj më kanë marrë shoqet dhe më kanë dërguar në shtëpitë e tyre. Kam qenë në gjumë në krevat. Hapësira që dolëm për fat të mirë nuk është prishur dhe në atë pozicion është edhe tani. Dhe vet nuk e kuptoj si kam dalë. Kemi qenë në dhomë gjumi. Djali i madh ka qenë në kuzhinë dhe ka ardhur me vrap në dhomë dhe forca shtytja e derës e ka përplasur me krevatin. Ishim në gjumë, nuk dinim ç'të bënim, për pak minuta është shembur gjithçka. Nuk dolëm dot. Jam grua, jam kryefamiljare, jam me dy fëmijë, jam në rrugë, më ka marrë shoqëria. Po kërkoj një shtëpi me qira. Por janë shumë si puna ime në shumë pallate të tjera. As pasaportë asgjë nuk kam. Ne kemi dalë me rrobat e gjumit, të gjitha materialet na mbetën aty", - tregon Violeta Doda për Report Tv.
Pallati 6 katësh në Durrës pranë Kryqit të Kuq u shemb duke zënë poshtë tij të 7 persona nga dy familje të ndryshme, familjen Reçi ku humbën jetën prindërit e dy fëmijët, dhe Meçajt, ku u shuan një grua me vajzën dhe mbesën.
Violeta tregon se fqinja e saj në derën ngjitur ishte familja meçaj, prej së cilës humbën jetën Roza meçaj, vajza e saj Diena Meçaj dhe mbesa e vogël Eisela. I vetmi që shpëtoi ishte kryefamiljari, gjyshi i 8-vjeçares. në dëshinë e saj Violeta Doda tregon momentet e vështira kur ka dëgjuar të voglën të bërtasë dhe t'i kërkojë ndihmë gjyshit. Ai mbeti i bllokuar jashtë pa mundur të shpëtojë dot të shtrenjat e tij.
"Komshia ime në derën ngjitur ka qenë bashkëshorti me gruan, kanë pasur dhe gocën me mbesën. Familja Meçaj. I zoti i shtëpisë ka dalë nga ana tjetër e rrugës, jo nga ana e hyrjes së pallatit ku kam dalë unë. Ndërsa tre femrat kanë qëndruar brenda. Në momentin që unë po dilja goca e vogël bërtiste gjithë kohës i kërkonte ndihmë gjyshit. Gjyshi nuk u fuste dot aty se ishte aq vrimë e vogël sa nuk komunikoje dot as me korridorin tim të shtëpisë", - tregon më tej 53-vjeçarja.
Në këtë pallat, në katin e pesë jetonte edhe familja Reçi. Eduardi bashkëshortja e tij Dolora, vajza Kristi dhe djali Klausi. E gjithë familja u nxorr e pajetë nën rrënojat e pallatit, ndërsa dy fëmijëve iu këputën në mes ëndrrat e tyre, Kristit për tu bërë mjeke (kishte mbaruar Mjekësinë dhe ishte në stazh) dhe Klausit ëndrra për tu bërë inxhinier (Ishte në shkollë).
"Në katin e pestë ka qenë Eduard Reçi me gruan me djalin dhe vajzën, dhe të katërt kanë dalë viktima. Me Eduardin jemi nga njëra anë, nga Mirdita të dy. Edhe të tjerët kam 10 vjet që i njoh, se jetojmë këtu", shprehet ajo.
Në katin e gjashtë tregon Violeta Doda jeton pronari, i cili ka shpëtuar së bashku me gruan dhe vajzën, ndërsa djali ndodhej në Tiranë.
"Në të njëjtin pallat jeton edhe nëna dhe babai i tij, por një ditë më parë kishin ikur në Greqi. Në fillim kujtuam që ishte dhe një familje tjetër në katin e pestë, por fatmirësisht ajo kishte dalë që në tërmetin e parë. Ka qenë një zonjë me dy fëmijët dhe me burrin. Kishin ikur tek prindërit e tyre", përfundon ajo.
Në total në këtë pallat kanë qenë 4 familje, dy prej të cilave shpëtuan dhe në dy të tjerat pati humbje jete. Pallati është rrënuar totalisht dhe është një mrekulli se si në mesin e asaj lëkundje të fortë, njerëzit kanë arritur të dalin nga rrënojat. Familjen Doda, siç ajo tregon, e ndihmoi një hapësirë 'drite' prej së cilës ajo nxorri një nga një, dy djemtë dhe nënën e saj të moshuar.