TURQI- Në një fjalim sa miqësor aq edhe zyrtar me qëllim për të përcjellë mesazhin e duhur përballë investitorëve turq në Stamboll, kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndihmë për të përballuar dëmet e pallogaritshme nga tërmeti i 26 Nëntorit. Përmes fjalës së tij Rama falënderoi presidentin e Turqisë Recep Tayip Erdogan pas deklaratës së do të ndërtojë 500 banesa për personat që kanë ngelur pa strehë pas tërmetit. Rama tha se pallatet e dëmtuara në Durrës kalojnë nga dhjetë familje për secilin dhe për pasojë ndërtimi i banesave të tyre kërkon një kosto të madhe financiare, që siç tha ai, janë njerëzisht të papërballueshme pa ndihma nga miqtë dhe solidariteti mbarëkombëtar nuk është i mjaftueshëm.

Duke cituar fjalë të urta nga njerëz të mençur të botës islame, Rama e quajti Turqinë një mik të çmuar në këto ditë të vështira për Shqipërinë, ndërsa u shpreh se katrastrofa që po kalojmë duhet të kthehet në forcë dhe dhimbja në frymëzim. "Dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj do arrijmë të bëjmë për Durrësin atë që Turqia bëri për Izmirin", tha Rama. 

Më herët Rama u takua me presidentin e Turqisë Recep Tayip Erdogan. Turqia ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë për Shqipërinë në orët pas tërmetit. Presidenti turk Erdogan tha se shteti turk do të ndërtojnë 500 banesa për familjet të cilat tërmeti i la në qiell të hapur.

Vetë kreu i qeverisë ka deklaruar se është në komunikim me agjencinë shtetërore të strehimit të Turqisë që premtimi i Erdogan për 500 shtëpi të fillojë të realizohet aty ku është dhe blloku më kompakt dhe hapësira më e mundshme për të vepruar tani është Laçi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:43
'Po të bashkojmë fuqitë, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë', Rama publikon apelin e Erdogan: Të ndihmojmë vëllezërit tanë(VIDEO)

Kryeministri i vendit Edi Rama me anë të një statusi në rrjetet sociale ka shpërndarë fjalimin e presidentit turk, Erdogan ku shprehet se Turqia do të bëjë aq sa të mundet për të ndihmuar Shqipërinë pas pasojave të tërmetit. Në videon e publikuar nga Rama, Erdogan thotë mes tjerash: “Po të bashkojmë fuqitë, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë”. Në këtë fjalim, Erdogan u referohet shqiptarëve si vëllezër, ndërsa thotë se dy vendet tona janë mike.

“Konferenca Islamike ka 50 anëtarë. Ne po të kapemi dorë për dore, po të bashkojmë fuqitë, nuk ka rëndësi sasia, shumë apo pak, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë. Kuptohet që dëshirat janë të mira. Por dëshirat po të mbeten vetëm fjalë fluturojnë. Mjalti po nuk hyri në gojë, nuk ëmbëlsohet goja. Ky mjaltë duhet ngrënë, ose ta ndajmë edhe me vëllezërit tanë këtë mjaltë. Ne këtë duhet të bëjmë, të ndajmë mjaltin së bashku. Bota Islamike është ajo që do ta hedhë hapin më të rëndësishëm. Ne si Turqi po punojmë, por e dimë që nuk është e mjaftueshme. Ne do punojmë, do të vazhdojmë. Zoti Kryeministër i ka dërguar letra dhe kërkesa shumë vendeve. Shpresojmë të marrin përgjigje pozitive këto kërkesa, sepse ne e kemi ndjerë dhimbjen e këtij tërmeti vite më parë në Turqi”, thotë mes të tjerash Erdogan.

Ora 13:06
Rama në Konferencën e Investitorëve në Turqi: Dëmet nga tërmeti shkojnë përtej asaj që mund të përballojmë ne! Na ndihmoni (VIDEO)

Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Konferencën e Investitorëve në Turqi. Rama tha se pas tërmetiT, Shqipëria ka pësuar një goditje e rëndë e cila nuk mund të kalohet pa ndihma nga jashtë. "Asnjëherë nuk do të harrojmë dedikimin në terren të ekipeve tuaja që vendosën jetën në rrezik për të shpëtuar jetë të tjera. Faleminderit që jeni këtij me mua dhe që me kenë krijuar mundësinë të jem këtu. Dëshiroj të falënderoj secilin prej vëllezërve tanë që deri tani ka qenë shëmbëllim. Shqiptarët e të gjitha besimeve të pasur dhe të varfër dhanë dhe vazhdojnë të japin të gjitha ato që kanë. Na kanë ndihmuar të mbledhim një vlerë që për vendin tonë të vogël është shumë. Të moshuar me një pension mujor kanë ofruar strehë për të pastrehët. Të rinj e të reja kanë lënë shkollën, punët për të ardhur në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Nuk ka nevojë të shpjegoj se i gjithë ky solidaritet është larg të qenit mjaftueshëm për të kapërcyer tragjedinë. Po kërkoj dritën në zemrat tuaja. Drita më e çmuar është ajo që të vjen në orën më të errët. Kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve të saj. Turqia e provoi edhe njëherë që i përmbahet urtisë së saj dhe nuk braktisi një mik dhe si thotë një shprehje e vjetër të ecësh me një mik në errësirës është më mirë se i vetëm në dritë. Kam ardhur këtu t'iu falenderoi për 500 banesat e t'iu kërkoj të jeni pranë nesh. Kurani na mëson se katastrofat njerëzore janë sprova. Dua që katastrofa që po kalojmë të kthehet në frymëzim, dhimbja të kthehet në forcë. Katastrofa ka përkulur qytetet tona më të rëndësishme. Dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj do arrijmë të bëjmë për Durrësin atë që Turqia bëri për Izmirin. Shumica e ndërtesave të shkatërruara janë struktura shumëkatëshe me nja dhjetëra familje. Ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj që është njerëzisht e përballueshme për ne. Përtej debateve tokësore le të kemi besim se zoti pranon vetëm atë që është e drejtë. Ju kërkoj falje që ndërhyra në konferencën tuaj, ju falenderoj me zemër për durimin", tha Rama.