Pavarësisht shtimit të kontrolleve nga autoritetet përgjegjëse, ndotja e mjedisit vijon të mbetet një problem serioz në zonën mes Lezhës dhe Kurbinit. 

Një tjetër rast i djegies së gomave dhe kabllove është regjistruar ne brigjet e Lumit Mat, pranë urës së supestradës, duke shkaktuar shqetësim të menjëhershëm tek banorët dhe kalimtarët.

Shtëllungat e tymit kanë mbuluar zonën, përfshirë dhe rrugën kombëtare Lezhë-Milot, ndërsa tymi i dendur jo vetëm që rrezikon shëndetin e komunitetit, por ul ndjeshëm edhe shikueshmerine në rrugë, duke rritur rrezikun për aksidente.

Pavarësisht ndërhyrjeve dhe kontrolleve të shtuara, raste të tilla vijojnë të evidentohen.

Vetëm dy ditë më parë, Policia e Shtetit procedoi penalisht dy shtetas, të cilët u kapën në flagrancë duke djegur kabllo pranë brigjeve të lumit Mat.