Tyrbja e Abaz Aliut në lartësinë 2417 metra mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit ofron këtë fillim viti një pamje magjepsëse e mbuluar me “vellon” e dëborës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje fantastike nga Mali i Tomorit, ku nën ndikimin e temperaturave të ulëta dhe erës reshjet e borës kanë skalitur forma spektakolare në këtë vend të shenjtë.
E konsideruar një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh, Tyrbja e Abaz Aliut tërheq çdo vit qindra vizitorë.
Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.
I veshur me petkun e borës këtë fillim janari, mali i Tomori fton të apasionuarit pas alpinizmit të kalojnë një ditë ndryshe në peizazhin e bardhë të kësaj lartësie.
Ndërsa çdo fundgushti Mali i Tomorit kthehet në vend pelegrinazhi për besimtarët bektashi, që kremtojnë festën më të rëndësishme të vitit.
Komente











