7 muaj pasi SPAK e mori të pandehur dhe më pas kërkoi dënimin me akuzën se ushtroi presion ndaj një mbështetësi të opozitës të mos votonte në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, kryebashkiakja e Rosokovecit Majlinda Bufi është shpallur e pafajshme.

GJKKO vendosi këtë të mërkurë që prokuroria nuk ka arritur ta provojë akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore”.

Për qytetaren e parë të Roskovecit Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, të konvertuar në dy vite shërbim prove. Por gjyqtarja Irena Gjoka shprehu se nuk provohet të ketë kryer veprën penale.

Dosja ndaj kryebashkiakes nisi 5 ditë para zgjedhjeve vendore të majit 2023, kur Bufi kandidonte për një tjetër mandat. Atëherë Partia Demokratike e kallëzonte në SPAK për shpërdorim detyre dhe kanosje ndaj zgjedhësve.

Vetëm një vit e gjysmë më pas SPAK e mori të pandehur Majlinda Bufin, nëntorin e vitit 2025.

SPAK i referohej disa përgjimeve që ishte  publikuar në media, ku Bufi dyshohej se presiononte Gazmend Boranjin, i cili ishte mbështetës i kandidatit të opozitës, që të mos shkojë të votojë, as ai dhe as familja  e tij. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme pretenduan se Bufi ka përdorur situatën e tij për t’i bërë presion, pasi qytetari kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, por nuk nga ana tjetër kishte as dokumente pronësie.

Bufi i mohoi që në fillim këto akuza, tashmë të rrëzuara nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.