TIRANË- Gati një vit pasi e mori të pandehur për shkelje të barazisë me tenderin 2.2 mln euro të rrugës Shpal-Rrëshen, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme pushimin e hetimeve për ish-kreun e KPP-së, Jonaid Myzyri. Kërkesa është bërë nga prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, dhe në GJKKO pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK. Prokurori Gogaj ka kërkuar pushimin e hetimeve edhe për 4 anëtaret e KPP-së, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, të hetuara bashkë me Myzyrin për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike. Në tetor 2025, GJKKO hoqi masën e pezullimit nga detyra për Myzyrin, duke i lënë në fuqi vetëm “detyrim paraqitje”.
Struktura e Posaçme e akuzonte Myzyrin për një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor me gjatësi 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit. Tenderi u zhvillua nga ARRSH më 18 shtator 2020, proces në të cilin janë konstatuar shkelje ligjore, të cilat KPP me kryetar Myzyrin i shpërfillën.
Sipas SPAK, ky Komision, në kundërshtim me ligjin favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat fituan tenderin 2.2 milionë euro me dokumente false. Në këtë proces pati ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i skualifikuar nga KPP me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale. Në vendimin për skualifikim, thuhej se autoriteti kontraktor duhej ta refuzonte këtë operator për shkak të “riskut të lartë për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore”.
Megjithatë, pas gati 1 viti hetim, SPAK bën kthesën duke mos gjetur problematika ligjore dhe kërkon pushim të çështjes. Ndërkohë, hetimet për 6 persona të tjerë të pandehur në këtë çështje do të vijojnë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










