49-vjeçari Ylli Zalla, i cili u arrestua dy ditë më parë në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, u la në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës, i akuzuar se furnizonte grupet kriminale me armë. Në banesën e tij janë gjetur në 4 raste, arsenale me armë. Para togaze të zeza, ai mohoi që këto armatime të ishin të tijat.
Ylli Zalla u kap të hënën, i fshehur në një ndërtesë rreth 500 metra larg shtëpisë së tij, i armatosur me një kallashnikov dhe tre krehra me fishekë.
Para arrestimit, të shtunën në banesën e tij shpërtheu një sasi tritoli, vetëm me dëme materiale, por policia ka dyshuar se personi që mund ta ketë vendosur atë, të jetë vetë Zalla, edhe pse ky i fundit për Report Tv mohoi të kishte gisht.
Vetëm një ditë përpara se të përfundonte në pranga, ai publikoi në rrjetet sociale një video ku akuzonte policinë dhe bandat se donin ta vrisnin.
Ylli Zalla u dyshua vjeshtën e vitit të kaluar si i përfshirë në atentatin në Rinas ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, në nëntor të vitit 2025, Në atë kohë, gjatë një kontrolli që iu bë në banesën e tij ishte zbuluar një arsenal armësh. Megjithatë, ekspertiza e kryer më vonë nuk evidentoi lidhje të tij me atentatin. Edhe këtë të mërkurë në Gjykatën e Tiranës, ai tha se për atentatin në Rinas, është “përgojuar kot”.
Policia kishte tentuar disa herë të arrestonte 49-vjeçarin, dhe arriti ta vë në pranga vetëm të hënën e 17 gushtit, ku për ta lokalizuar u përdorën edhe dronë Bayraktar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.









Komente
Komento