Autoritetet serbe e kanë liruar nga paraburgimi shtetasin e Kosovës, Hazir Haziri – rreth katër muaj pasi e kishin arrestuar për gjoja krime lufte njoftoi të mërkurën avokati Arianit Koci.
Haziri ishte arrestuar më 8 shtator në pikën kufitare në Merdare dhe prej atëherë ishte mbajtur në paraburgim në Serbi.
Lirimi i Hazirit “konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte”, tha avokati Koci, i cili ka qenë i angazhuar në rastin e tij.
“Rasti nënvizon domosdoshmërinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit”, shkroi Koci në Facebook.
Ai shtoi se gjendja shëndetësore e Hazirit është e mirë. Haziri, 77 vjeç, ishte arrestuar për gjoja krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.
Autoritetet serbe pretendonin asokohe se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime të tilla, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.
Avokati Koci, i cili bashkëpunon me avokatë vendas në Serbi pasi si avokat nga Kosova nuk është i licencuar për t’i mbrojtur kosovarët atje, tha në dhjetor për Radion Evropa e Lirë se “ka shumë raste të tilla”.
Duke folur për Hazirin, ai kishte thënë: “Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”.
Sipas tij, Haziri kishte kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk ishte ndaluar deri në shtatorin e vitit të kaluar.
“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, kishte thënë ai./REL
Komente







