TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli gazetarin Elio Laze, të arrestuar për gjobëvënie. Për t’i fshirë një lajm nga portali që drejton, Priza.al, Elio Laze i kishte kërkuar 40 mijë euro zyrtarit Klaus Shaqiri. Por, këtij të fundit shifra i ishte dukur e lartë dhe në dakordësi kanë rënë që zyrtari të paguajë 20 mijë euro.  

momentin e arrestimit, Laze është kapur duke marrë 5 mijë euro nga zyrtari në një apartament në kompleksin “Kika” pranë “Komunës së Parisit”, të cilin gazetari e ka shndërruar në redaksinë e portalit. Por, ndërsa Gjykata e Tiranës vendosi ta lërë në qeli, gazetari ka habitur jo pak me dëshminë e tij, duke pretenduar se heqja e lajmeve kundrejt pagesës është një aktivitet i ligjshëm dhe madje sipas tij i regjistruar edhe në QKB. Laze ka deklaruar se “siç paguhet për të bërë shkrim, paguhet edhe për t’i hequr” dhe madje sipas tij pagesat bëheshin përmes bankës dhe me kontratë mes palëve.

“Lekët paguheshin në bankë me kontratë mes palëve. Ne rastin konkret më ka lënë një zarf nuk e di ca kishte brenda”, ka dëshmuar ai.

Sa i takon zarfit me 5 mijë euro, që gazetari u kap në flagrancë duke ia marrë zyrtarit të cilin e shantazhonte për t’i fshirë artikullin, Laze ka pretenduar se nuk e dinte se çfarë kishte brenda zarfi. Laze do duhej të hiqte nga portali i tij, një shkrim kundër Shaqirit. Lajmi, i cili rezulton të jetë ende online në faqen e portalit, i publikuar në janar të vitit 2026, nuk lidhet me punën në shtet, por me veprimtari të dyshuar të zyrtarit në fushën e platformave mashtruese të Forex. 

Gazetari Elio Laze gjatë takimeve me personat që u kërkonte para për të fshirë shkrime, pretendonte se punonte me të tjerë persona, “ortakë” të tij. Ndaj dhe shumat e larta që ai kërkonte, duke nisur nga 40 mijë euro, lidheshin me faktin se do duhej të paguante edhe “ortakun”. Policia është duke hetuar nëse vërtetë ka bashkëpunëtorë të tij, apo “ortaku” i pretenduar, është vetëm një skenar i krijuar nga gazetari për të rritur vlerën e shantazhit.

Gazetari 37-vjeçar akuzohet për veprën penale, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.

Edhe më 28 maj të vitit 2022, Eljo Laze u arrestua, pasi makina e tij u ndalua gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Efektivët i gjetën në çantë një pistoletë, ndërsa rezultoi se ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Në atë kohë, gazetari pretendoi se armën ia kishte blerë një grupi të panjohurish për 200 euro, në mënyrë të pavullnetshme sipas tij, teksa ishte duke pirë hashash në zonën e njohur si “Lapidari” në kodrat e Tiranës.