Gjykata e Vlorës ka lënë në burg 6 anëtarët e grupit kriminal të arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit policor “Grupi”.

Masa ‘arrest me burg është caktuar edhe për Turi Aligjonin, i dyshuar për plagosjen e Kevi Lazajt në Vlorë, ngjarje e ndodhur më 7 qershor, pranë rrethrrotullimit të lagjes “24 Maji”.

Seanca gjyqësore u zhvillua dhe u drejtua nga gjyqtarja Renata Koçaqi, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Në këtë mënyrë, Gjykata la në fuqi kërkesën e organit të akuzës, duke vlerësuar se kushtet ligjore për këtë masë sigurie janë të plotësuara.

Kur u godit grupi kriminal

Policia goditi grupin kriminal më 9 qershor në fshatin Vranisht të Vlorës. 6 prej tyre u arrestuan, teksa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata lëviznin me automjete të blinduar, dhe gjithmonë të armatosur, edhe kur dilnin në lokale

Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete, 2 prej tyre me targa të huaja dhe një, i blinduar.

Anëtarët e grupit kriminal që u lanë në burg
Dritan Çelaj, 48 vjeç
Florian Shala alias Florian Alliaj 52 vjeç
Miço Beqaraj, 35 vjeç
Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj 50 vjeç
Turi Aligjoni, 55 vjeç

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë