TIRANE- Gentian Kërtoçi, efektivi i policisë që u denoncua në televizionin “A1 Report” duke marrë rryshfet në këmbim të heqjes së një gjobe, është marrë i pandehur nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e korrupsionit. Efektivi i komisariatit nr.3 nuk ka pranuar akuzën gjatë fazës hetimore por sërisht, njësia Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës ka vendosur të dërgojë në gjykatë Gentian Kërtoçin. Provat që janë administruar në dosjen hetimore janë dëshmia e shtetasit që shfaqet në pamje filmike duke i dhënë 20 mijë lekë të vjetra efektivit të policisë dhe pamjet filmike të sekuestruara në televizionin “A1 Report”. Kërtoçi është arrestuar nga punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në muajin tetor 2013.

Arrestimi
Një ditë pas publikimit në A1 Report të videos ekskluzive, ku duket tentativë e korrupsionit të qytetari ndaj policit rrugor, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arreston policin e komisiariatit nr. 3. “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar në flagrancë shtetasin Gentian Beqir Kërtoçi, 24 vjec, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr.3 Tiranë, me gradën N/inspektor.

Arrestimi i tij, u krye sepse në datën 1 tetor  rreth orës 18:00, në rrugën “Dritan Hoxha“, në kryqëzimin e Laprakës, duke qënë në shërbim Patrullë e Përgjithshme dyshohet se i ka marrë një sasi parash një shtetasi, në këmbim të mosndëshkimit të kundravajtësit sipas ligjit”, thuhej në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme. Arrestimi i Gentian Kërtoçit është kryer në mbrëmje pas përfundimit të hetimeve lidhur me denoncimin publik të bërë nga “A1 Report” dhe “Shqiptarja.com” për veprimin e kundraligjshëm të këtij punonjësi policie. Në të njëjtën kohë si masë administrative është vendosur pezullimi nga detyra i punonjësit të policisë Gentian Kërtoçit.

Mohimi i akuzës
Vetë Gentian Kërtoçi gjatë fazës së hetimeve ka treguar se ai është provokuar nga qytetari, por nuk ka marrë asnjë lek prej tij. Sipas efektivit të policisë ai ka vendosur gjobën administrative ndaj makinës dhe më pas është larguar. Mirëpo tjetër version ka treguar në prokurori qytetari. Ai ka pohuar se i është kërkuar shuma financiare prej 20 mijë lekë të vjetra nga efektivi i policisë dhe më pas ai ka nxjerrë portofolin duke i dhënë shumën e kërkuar.

Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)