Ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro mësohet se është paraqitur mbrëmjen e së martës në Komisariatin e Vlorës, ku është bërë dhe ekzekutimi i vendimit për rikthimin e tij në burg. Report Tv mëson se drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk është vënë ende në dijeni për ekzekutimin e vendimit, ndërsa me të mbërritur njoftimi, pritet që burgjet të vendosin se cilin institucioni Goro do të vuajë dënimin dhe do të merren masa për transferimin e tij. Ish-kryebashkiaku vijon ende të qëndrojë në ambientet e Komisariatit të Vlorës.

Pavarësisht vetëdorëzimit, më herët mbrojtja e Jorgo Goros depozitoi një kërkesë për revokimin e urdhrit të ekzekutimit, me argumentin se dënimi është shlyer përmes kohës së paraburgimit.

Jorgo Goro u lirua nga burgu 12 gushtin e vitit të kaluar pasi vuajti 17 muaj në qeli prej dënimit të dhënë fillimisht nga Shkalla e Parë e GJKKO.

Vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme lidhet me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës në Himarë, për të cilën Goro ishte dënuar edhe në shkallë të parë nga GJKKO më 30 korrik 2025 me 2 vite burg, dënim që u la në fuqi nga Apeli, por me gjykim të shkurtuar zbret në 1 vit e 4 muaj. SPAK ka bërë përllogaritjen e kohës së vuajtur në paraburgim dhe ka dalë në përfundimin se Goros i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer.

Ndërkohë, më herët ai kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim lidhur me tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë tokë në Gjilek të Himarës, nga i cili përfitoi ulje për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar dhe u lirua.