TIRANË- Zyra e shtypit e ish- kryeministrit Sali Berisha e ka cilësuar vendimin e Gjykatës që e dënoi 500 mijë lekë gjobë për shpifje, si i ndikuar politikisht prapa së cilit fshihet kreu i qeverisë Rama. Duke e cilësuar shkrimin e bërë në Facebook, thjesht një koment politik mbi një lajm të publikuar në mediat e pavarura, Berisha shprehet ky është një rast flagrant i cenimit të drejtës së fjalës. Për Berishën, fakti që nuk është marrë asnjë vendim për mediat apo personat e tjerë që kanë publikuar është e qartë që qëllimi është për ta sulmuar atë si një kundërshtar politik.

"Në vazhdën fushatës së kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri, kryetari i narkoshtetit Edi Rama, duke keqpërdorur gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, sot nëpërmjet gjykatës se Tiranës vendosi pranimin e pjesshëm të padisë së tij për cënim nderi dhe dinjiteti (kërkohej 1 mln lekë) Objekt i shqyrtimit ishte një postim ne FB e zotit Berisha, në të cilin ilustrohej dhe bëhej një koment politik mbi një artikull të publikuar më parë nga media të pavarura.

Qartësisht në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli i cili përbënte burimin e lajmit. U provua në gjykim se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë dhe as Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik. Pra padia është në mënyrë të qartë politikisht e motivuar.  Pranimi i padisë për shkaktim dëmi moral në këtë rast,  përbën një rast të paprecedent pasi është kufizim flagrant i të drejtës dhe lirisë së shprehjes, si dhe bie në kundërshtim të hapur me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe mbi të gjitha me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", njofton zyra e shtypit të ish- kryeministrit Sali Berisha.

Ditën e sotme, Gjykata e Civiles në Tiranë, ka dënuar ish-kreun e qeverisë Berisha me 500 mijë lekë gjobë (kërkohej 1 mln lekë) pas akuzës që bëri ndaj kryeministrit Rama se ka penguar hapjen e negociatave duke përkrahur trafikantët e drogës.