Vogëlushja 2-vjeçare Altea Jubi, e cila prej disa ditësh po lufton me jetën, pasi është djegur në 70% të trupit, do të dërgohet për trajtim të specializuar në Turqi.

Kryeministri Edi Rama, pasi u njoh me rastin e vogëlushes që ka prekur opinionin publik, ka kërkuar informacion të plotë për gjendjen shëndetësore të saj, pas të cilit është kujdesur për t’i siguruar një kurim më të specializuar të menjëhershëm.

Deputetja e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastarliu, e cila vizitoi sot 2-vjeçaren, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, konfirmoi se tashmë është siguruar transportimi i saj në një klinikë të njohur për trajtime të tilla në Turqi.

Sipas Manastarliut, gjendja e vogëlushes paraqitet e rëndë, ndaj u mundësua edhe ndërhyrja sa më e shpejtë për t’i shpëtuar jetën.

“Me porosi të Kryeministrit, i cili ndodhet jashtë vendit, unë jam këtu për të siguruar dërgimin për kurim të specializuar në një klinikë, e cila merret me trajtime të tilla në Turqi, për vajzën 2-vjeçare. Në fakt, ashtu siç referojnë edhe mjekët, gjendja është kritike. Nuk mund të jepen garanci. Por ajo çfarë ne sigurojmë është që do t’i jepet shërbimi më cilësor i mundshëm, pa humbur aspak kohë,” - u shpreh deputetja Manastarliu.

Familja e saj nga qyteti i Peqinit kanë bërë apel për ndihmë prej disa ditësh. Prindërit ishin duke punuar kur vajza e madhe 16 vjeç, sapo kishte valuar qumështin dhe Altea, 2 vjeç ra brenda tenxheres duke u dëmtuar rëndë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com