Kapiteni dhe tre të rinj, Gigio Donnarumma, Pio Esposito, Palestra dhe Pisilli. Italia e Silvio Baldinit vihet në lëvizje si kurrë më parë. Jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi, teksa në listë kanë mbetur vetëm katër lojtarë nga disfata shumë e dhimbshme e Zenicës, në Bosnje.

“Donnarumma më telefonoi dhe nuk më besohej, të tjerët nuk e bënë, por i kuptoj pas një zhgënjimi si ai që përjetuan në fund të marsit”, tregon trajneri i përkohshëm i Italisë.

Baldini ka në program dy ndeshje dhe më pas do të rikthehet te U-21 i tij, ndaj Luksemburgut (të mërkurën) dhe Greqisë (të dielën, më 7 qershor), dy sfida miqësore në transfertë.

“Këto dy ndeshje, shpresoj t’i shërbejnë atij që do të vijë pas meje. Kam thirrur më të rinjtë, ata kanë mundësinë të tregojnë veten. Nëse me zgjedhjet e mia kam dashur të jap edhe një sinjal? Duhet ndryshim dhe më shumë ndryshim se kaq, më thoni ju…

Djemtë duhet të kenë hapësirë, por për sa kohë futbolli ynë është në duart e mashtruesve, e shoh shumë të vështirë. Nuk është faji i Federatës, sepse në nivelet e moshave ne jemi gjithmonë ndër më të mirët ose më të mirët fare, problemi është te hapi që nuk vjen dhe nuk vjen për faj të klubeve", tha Baldini.

Baldini luan në të gjitha frontet, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës.

“Trajneri i Greqisë ankohet sepse priste grumbullime më ‘të forta’? Çdokush mund të thotë çfarë të dojë, por më habit që pikërisht aty ku lindi demokracia bëhen reflektime të tilla”, vijoi ai.

Kur biseda rikthehet te zgjedhjet, ja çfarë thotë për Donnarummën dhe Pio Espositon.

“Unë punoj për të shkuar në Olimpiadën e Los Anxhelosit 2028, Gigio dhe Pio sigurisht që do të ishin pjesë e grupit. Në sytë e djemve që janë këtu, pra edhe të lojtarëve të U 21 tim, unë jam i besueshëm. Ata e ndjejnë këtë dhe më besojnë, nuk ekzistojnë gjobat, ekziston ndjenja e përgjegjësisë.

Nëse mendoj të qëndroj edhe më gjatë? Mos bëni shaka. Për të qenë trajner i Italisë duhet të kesh një CV të caktuar, unë më parë duhet të shkoj në Evropianin e vitit të ardhshëm dhe ta fitoj, pastaj në Olimpiadë. Vetëm atëherë mund të them fjalën time", tregoi Baldini.

Në këtë grup 'të kaltër' ka plot katër lojtarë të lindur në vitin 2008, tre të vitit 2006, shtatë të vitit 2005 dhe nëntë të vitit 2004. Dhe vetëm 11 prej tyre kanë luajtur në sezonin e fundit të Serie A.

“Unë e konsideroj veten një njeri të lirë dhe dua që djemtë e mi të shprehin lirinë për të luajtur në fushë. Por pa top duhet të vraposh”, tha mes të tjerash trajneri i Italisë për këto dy ndeshje.

Lista e Italisë për dy miqësoret e qershorit:

Portierët: Giovanni Daffara (Avellino), Gianluigi Donnarumma (Manchester City), Lorenzo Palmisani (Frosinone)

Mbrojtësit: Honest Ahanor (Atalanta), Davide Bartesaghi (Milan), Fabio Chiarodia (Borussia Mönchengladbach), Pietro Comuzzo (Fiorentina), *Costantino Favasuli (Catanzaro), Filippo Mane (Borussia Dortmund), Marco Palestra (Cagliari), Luca Reggiani (Borussia Dortmund)

Mesfushorët: Matteo Dagasso (Venezia), Giacomo Faticanti (Juventus), Luca Lipani (Sassuolo), Cher Ndour (Fiorentina), Niccolò Pisilli (Roma), Lorenzo Venturino (Roma)

Sulmuesit: Francesco Camarda (Lecce), Luigi Cherubini (Sampdoria), Jeff Ekhator (Genoa), Francesco Pio Esposito (Inter), Seydou Fini (Frosinone), Samuele Inacio (Borussia Dortmund), Luca Koleosho (Paris FC)