Një sherr me sende të forta u shënua në një lokal të Divjakës, ku pas njoftimit në sallën operative, policia ndërhyri duke arrestuar 6 persona.

Fillimisht policia i gjeti të dëmtuar me sende të forta në lokal, 22-vjeçarin Orgito Lamka dhe 51-vjeçarin Shahin Xhepexhiu. Të dy morën mjekim, dhanë deklarime në komisariat dhe u larguan të lirë. 

Por teksa policia kryente hetime për të zbuluar të gjithë të përfshirët në sherr, 22-vjeçari Lamka, disa orë më vonë është rikthyer në lokal me një pistoletë me silenciator, dhe dyshohet se do të vriste 51-vjeçarin Shahin Xhepexhiu. 

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.

Në vijim të hetimeve, blutë arrestuan të riun Orgito Lamka, i cili sipas policisë është me precedent penalë në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë. Atij iu gjet pistoleta me silenciator me fishekë në fole, gati për qitje. 

Personi që drejtonte makinën me të cilin i riu u rikthye në lokal, u arrestua, Serxhio Duda, 28 vjeç, edhe ky me precedent penalë për drogë në vendin tonë. 

Edhe 51-vjeçari i cili ishte shënjestër e të riut, u arrestua për moskallëzim të krimit, pasi sipas policisë gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.

Në pranga përfundoi edhe Kevin Sota, 45 vjeç, gjithashtu me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Në makinë, blutë i sekuestruan një pistoletë, të cilën më herët kishte tentuar ta fshihte, 30-vjeçari Santiago Alla, i vënë në pranga. 

Lokali është në pronësi të Zeni Kules, 50 vjeç, i cili u arrestua për moskallëzim të krimit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.