Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit. Në dëshminë e saj të dhënë në Prokurorinë e Posaçme, pas kallëzimit të PD për falsifikim të vulave dhe formularëve, Irena Gjoka ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të vendimit, që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke nuk ka pasur kurrë dijeni për asnjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.

“Nuk kam patur asnjë herë dijeni as për procesin hetimor penal të zhvilluar ndaj meje, as për procesin gjyqësor dhe për asnjë proces tjetër të zhvilluar nga autoritetet greke të drejtësisë”, ka deklaruar Gjoka.

Në dëshminë e saj, gjyqtarja e GJKKO-së thotë se në vitet 2002 dhe 2003 iu refuzua pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë.

“Në muajin Dhjetor të vitit 2002, jam paraqitur në PKK Kakavijë, për të udhëtuar drejt shtetit Grek dhe pas një debati që kam bërë me punonjësit e policisë kufitare, për shkak të mënyrës së sjelljes së tyre arbitrare, më është refuzuar hyrja për në shtetin Grek, duke më vendosur kryq në vizën me të cilën isha pajisur pranë ambasadës greke në Tiranë”, thotë Gjoka në dëshmi.

Ndërkohë, Gjoka shton se nga viti 2007 e në vijim, ka hyrë normalisht në territorin Grek dhe nuk i është komunikuar asnjë lloj njoftimi lidhur me ndonjë vendim penal, hetim penal, ekzekutim vendimi, masë administrative ndalimi ose dëbimi etj.

Dëshmia e Gjokës u publikua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë paraqitjes në SPAK për masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. Gjoka ka qenë gjyqtarja e hetimit paraprak në dosjen Partizani, ndërsa Berisha pretendoi se procesverbali i dëshmisë së Gjokës i ka kaluar gjykatës pa u firmosur nga dy hetuesit që e kanë marrë gjyqtaren në pyetje.

“Ky është hetimi që ka bërë Altin Troplini për Irena Dumanin. Tani, që një procesverbal, një dëshmi, do u përgjigjet pyetjeve ai që është thirrur, pa diskutim. Por që hetuesit, Toni Gramo dhe Elton Kërluku, nuk e kanë firmosur. Është për Guiness, miq.

Dosje gjyqësore e dërguar në gjykatë. Pse nuk e kanë firmosur? Nuk kanë dashur të firmosin mashtrimet e Irenës me 5 mbiemra”, tha Berisha.

Çështja e Gjokës është në gjykatë, ndërsa SPAK ka kërkuar pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi ndaj saj është zhvilluar në mungesë dhe ajo nuk ka qenë në dijeni, duke shtuar se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.

Dëshmia e plotë e Irena Gjokës

Pyetje: Jeni thirrur sot për të dhënë shpjegime në kuadër të procedimit penal nr. 130/2025, regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, në bazë të një kallëzimi bërë kundrejt jush, me pretendimin se nuk keni deklaruar në formularin e dekriminalizimit, një vendim gjyqësor penal të shtetit Grek, nëpërmjet të cilit jeni dënuar për falsifikimin e pasaportës fillimisht, çfarë keni për të thënë lidhur me këtë fakt?

Përgjigje: Nuk kam qenë kurrë në dijeni të atij vendimi, për të cilin jam njoftuar së fundmi në media dhe më pas përmes akteve të përcjella nëpërmjet letërporosisë nga autoritetet greke. Në përgjegjësinë e plotë morale dhe ligjore, deklaroj edhe një herë se nuk kam patur asnjë herë dijeni as për procesin hetimor penal të zhvilluar ndaj meje, as për procesin gjyqësor dhe për asnjë proces tjetër të zhvilluar nga autoritetet greke të drejtësisë. Pretendimet e mia në mënyrë hollësishme dhe shteruese, i kam paraqitur gjithashtu nëpërmjet një memo-je, të depozituar pranë prokurorisë.

Pyetje: A mund të na thoni nëse keni autorizuar ndonjëherë persona të ndryshëm, për t'ju përfaqësuar pranë autoriteteve greke, lidhur me procedura administrative, apo vendime penale të marra në ngarkimin tuaj dhe nëse po, a mund të na shpjegoni në mënyrë të detajuar, çfarë veprimesh keni kryer dhe kë keni caktuar si përfaqësuesin tuaj?

Përgjigje: Ju bëj me dije se në muajin Dhjetor të vitit 2002, jam paraqitur në PKK Kakavijë, për të udhëtuar drejt shtetit Grek dhe pas një debati që kam bërë me punonjësit e policisë kufitare, për shkak të mënyrës së sjelljes së tyre arbitrare, më është refuzuar hyrja për në shtetin Grek, duke më vendosur kryq në vizën me të cilën isha pajisur pranë ambasadës greke në Tiranë. Pasi jam pajisur sërish me vizë, pranë ambasadës Greke në Tiranë, si dhe i kam informuar ata në lidhje me sjelljen e punonjësve të policisë kufitare, punonjësit e ambasadës më njoftuan që nuk mbanin përgjegjësi për veprimet policore. Në datën 13.02.2003, jam paraqitur sërish në PKK Kakavijë për të udhëtuar drejt shtetit Grek, dhe sërish më është refuzuar hyrja duke më vendosur kryq në vizën përkatëse.

Nga punonjësit e kufirit, u informova se kisha refuzim hyrje për në shtetin Grek dhe ndodhur në këto kushte, kam autorizuar një shtetas shqiptaro-grek të quajtur Andon Konomi/Ikonomu, me banim në Fier dhe njëkohësisht rezident në shtetin Grek në Patra, i cili nuk ka patur cilësinë e avokatit, duke i dhënë tagër në mënyrë eksplicite për të më përfaqësuar pranë Ministrisë së Rendit Publik në Athinë Greqi dhe në çdo institucion tjetër që do të ishte e nevojshme për të kryer çdo lloj veprimi që nuk është i ndaluar nga ligji, në lidhje me heqjen e masës së ndalimit të hyrjes së dhënë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare, nga ana e policisë kufitare Kakavijë dhe për asnjë lloj procesi tjetër penal ose gjyqësor, pasi siç dhe rezulton nga aktet, ky akt përfaqësimi është lëshuar në datën 31.03.2003 ndërsa nga aktet e përcjella nëpërmjet letërporosisë nga autoritetet greke të drejtësisë, rezulton se referimi i bërë nga rajoni i policisë Kakavijë për procedimin penal, është bërë me nr.prot 6633/1/2412-kd, datë 10.08.2004, kështu që në kohën e lëshimit të prokurorës prej meje (31.03.2003), nuk ishte referuar ende procedimi penal (10.08.2004), pra procedimi penal është referuar gati 1 vit e 5 muaj më pas, dhe unë nuk kisha si ta dija që ndaj meje ishte regjistruar një procedim penal dhe të autorizoja shtetasin Andon Konomi, për këtë proces.

Gjithashtu ju bëj me dije se refuzimi i hyrjes në bazë të ligjit nr. 138/2015 "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike", të ndryshuar, nuk duhet deklaruar në formular, pasi në mënyrë specifike, në pikën 7 të formularit të dekriminalizmit shtrohet pyetja: "A është marrë masa e dëbimit nga një shtet i huaj (Me përjashtim të rastit kur jeni dëbuar ekskluzivisht për shkeljen e rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje daljet në një territor të shtetit të huaj)".

Siç dhe rezulton nga përmbajtja e pyetjes, në mënyrë specifike është përjashtuar deklarimi i refuzimit të hyrje-daljes në një territor të një shteti të caktuar as dhe në ligjin nr. Nr. 84/2016 "Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", nuk ishte detyrim ligjor deklarimi i një fakti të tillë, pasi ishte detyrim për të deklaruar refuzimin e hyrje-daljeve vetëm për 10 vitet e fundit, çka nënkupton se afati 10 vjeçar për rastin konkret ishte tejkaluar.

Pyetje: A mund të na thoni nëse keni udhëtuar drejt territorit Grek, pas vitit 2003?

Përgjigje: Nga viti 2007 e në vijim, kam hyrë normalisht në territorin Grek dhe nuk më është komunikuar asnjë lloj njoftimi lidhur me ndonjë vendim penal, hetim penal, ekzekutim vendimi, masë administrative ndalimi ose dëbimi etj.

Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?

Përgjigje: Jo nuk kam gjë tjetër për të shtuar, por dua të theksoj se përveç të dhënave dhe fakteve që kam mësuar për shkak të këtij kallëzimi penal por dhe atyre të bëra publike në median e shkruar, kam autorizuar një avokat në shtetin grek, duke qenë se kam dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, në lidhje me ligjshmërinë e këtij vendimi gjyqësor, pasi ndoshta nuk më takon të komentoj më tepër, por që në përmbajtje të këtij vendimi, arsyetohet që në caktimin e masës së dënimit, se gjykata ka marrë parasysh të dhëna që lidhen me personalitetin e të pandehurës, sjellja e saj gjatë kryerjes së veprës penale etj, jeta e saj shoqërore e mëparshme etj, të dhëna të cilat nuk kishin si të diheshin përsa kohë që sipas këtij vendimi, po gjykohesha në mungesë, si dhe fakti që mua nuk më është sekuestruar asnjëherë pasaporta dhe as në përmbajtje të vendimit nuk përmendet një gjë e tillë, por referohet që ajo është sekuestruar në vitin 2004, vit në të cilin unë nuk kam qenë fare në shtetin Grek, të cilat më krijojnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për të krijuar rezervat e mia lidhur ligjshmërinë e këtij vendimi gjyqësor.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë