Vijojnë operacionet për kapjen e personave të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve. Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Devoll.

Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë Klajdi Muça, nga qyteti i Durrësit, i cili drejtonte një automjet tip benz dhe gjatë kontrollit të uniformave blu, brenda mjetit janë gjetur 6 emigrantë të paligjshëm. Këta të fundit ishin shtetas sudanezë, të cilët dyshohet se po transportoheshin drejt Tiranës, me qëllim kalimin jashtë shtetit.

Sipas informacioneve, për këtë aktivitet, 23-vjeçari dyshohet se do të përfitonte 600 deri në 700 euro për person. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti, një sasi lekësh dhe disa aparate celularë. Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë