TIRANË- “Po përndiqem për shkak të bindjeve politike” ky ishte qëndrimi që mbajti në Gjykatën e Tiranës, aktivistja turke Julide Yazici e cila u arrestua në Rinas pasi kërkohet nga Turqia. Por në fakt seanca e sotme, ishte thjesht procedurale. Gjyqtari Kujtim Vranici konfirmoi “arrestin me burg”, pasi mbështetur mbi një urdhër kërkimi ndërkombëtar, policia e ndali 32-vjeçaren me profesion mësuese, e cila mbërri më 4 gusht në aeroportin e Rinasit, përmes një fluturimi nga Franca.

Pikërisht në Francë ajo ka përfituar azilin politik, duke pretenduar se përballet me persekutim politik në vendin e saj. E mbi këtë motiv ajo i kërkoi sot Gjykatës që të mos e ekstradojë në vendin e saj ku dhe është e dënuar, për pjesëmarrje në protesta kundër presidentit turk Rexhep Erdogan, 7 vjet më parë, ndërsa ishte ende studente në universitetin Bogazici të Stambollit.

Gjykata e këtij qyteti ka vendosur ndaj saj burgimin për 4 vite e 2 muaj  për veprat penale "dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste" dhe "pjesëmarrje në organizatë terroriste". Sipas autoriteteve turke, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.

Vetë Yazici dhe mbështetësit e saj i kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht. Aktivistja turke do të duhet të qëndrojë në qeli, derisa dosja e saj të mbërrijë nga autoritetet turke. Pas kësaj ajo do të duhet të nisë procedura të tjera gjyqësore për të kundërshtuar ekstradimin. Mbetet për të parë nëse statusi i saj si refugjate politike në Francë, do të ketë ndikim në vlerësimin e kërkesës së autoriteteve turke. 

Julide Yazici, aktivistja turke