DURRËS - Policia e Durrësit dhe Shijakut aksion në lokalet problematike të natës. Shoqërohen 38 persona, mes tyre 19 balerina. Arrestohet Gëzim Aleksi, i dënuar me 25 vjet burg për vepra të ndryshme penale, i liruar në fillim të 2015-ës. 39-vjeçari u kap me pistoletë me 7 fishekë në ambientet e lokalit.

...
Në fillim të këtij viti fitoi lirinë pas një dënimi me 25 vjet burg për vepra të ndryshme penale, por ka rënë sërish në prangat e policisë pasi është kapur me pistoletë të mbushur në një lokal nate. Ky është Gëzim Aleksi me banim në fshatin Xhafazotaj të Shijakut. 39-vjeçari u arrestua nga Policia e Durrësit gjatë aksionit në terren për kontrollin e muzikës në lokale e cila nuk lejohet të jetë me volum të lartë pas mesnate.

Në një nga këto lokale, blutë e Shijakut arrestuan në flagrancë Aleksin pasi kishte me vete një pistoletë jugosllave me një krehër me 7 fishekë. Në vitin 1998 Gëzim Aleksi është dënuar me 25 vite burg për veprat penale rrëmbim personi, vjedhje me dhunë dhe krime kundër jetës. Ai është liruar në fillim të vitit 2015. Në fakt sipas llogarive, dënimi i tij duhet të përfundonte në vitin 2023 dhe ende nuk dihet se si i është ulur ky dënim. Ai tashmë akuzohet për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve”.
 
Ndërkohë, gjatë aksioneve të ushtruara në 7 lokale në Durrës dhe Shijak të evidentuara si më problematiket, policia ka shoqëruar 38 persona, mes tyre 19 janë balerina të cilat kërcejnë në këto klube nate.
 
Ndaj 19-vjeçarit Sh.Meta me banim në Durrës policia nisi procedimin penal pasi gjatë kontrollit fizik të tij në ambientet e një lokali ju gjetën 0.5 gramë kanabis.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)