Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi deputeti socialist Ulsi Manja ironizoi PD-së, pas kallëzimit në SPAK të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja, për miratimin e aktit normativ 4.2 milion euro për mbarëvajtjen e koncertit të reperit amerikan, Kanye Ëest.

Pasi Manja tha me ironi se ‘PD po çon në SPAK Kanye West’, përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar se Ulsi Manja ndodhet ‘mes rolit të budallait dhe hetimit të SPAK’.

Më tej Bardhi ka shkruar se PD nuk ka kallëzuar në SPAK Kanye West, por kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij ka shpërdoruar detyrën, ‘me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si pare xhepi për një koncert privat.

Bardhi pyet më pas Manjën nëse ka ndërhyrë te ish-ministrja Belinda Balluku për t’i mundësuar biznesmenit Paulin Rajta përfitimin e një HEC-i në qarkun Dibër, teksa e paralajmëron deputetin socialist se SPAK do t’i trokasë një ditë në derë.

Reagimi i Bardhit:

Ulsi Manja, mes rolit të budallait dhe hetimit të SPAK-ut.

E kam të vështirë ta ndaj, nëse Ulsi Manja e bën me lehtësi rolin e budallait apo jo, por mund të them me siguri se sot qenka në kulmin e vet të performancës.

Ulsi, nuk kemi çuar në SPAK Kanin, por Edin. Sepse Edi ka shpërdoruar detyrën bashkë me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si pare xhepi për një koncert privat.

Tani që, besoj je më i qartë dhe më i qetë për Kanin, të paktën mos e gënje Edin për pozitën e tij penale dhe, njëkohësisht, bëhu gati edhe vetë për në SPAK!

Meqë ke marrë përsipër të bësh analizë me laps në dorë për kallëzimet e opozitës ndaj vjedhjeve tuaja, gjej edhe guximin t’u përgjigjesh dy pyetjeve, përpara se të të pyesin në SPAK:

1. Çfarë të lidh me Paulin Rajtën?

2. A ke ndërhyrë te Belinda Balluku për t’i mundësuar atij përfitimin e një HEC-i në qarkun Dibër?

Kur nuk bën rolin e budallait për llogari të Edi Ramës, ti, Ulsi, e di shumë më mirë se ndërhyrja për dhënien e licencave në kundërshtim me ligjin është vepër penale. Kur ndërhyrja bëhet për një biznesmen që, më pas, si Ministër Drejtësie, firmos për ta emëruar drejtor të Policisë së Burgjeve, pozita penale rëndohet.

Kthjellu, Ulsi! Roli i budallait apo servilit nuk të mban dot për shumë gjatë! Rri zgjuar këto kohë, se mund të të trokasë SPAK tek dera!

Foto e publikuar nga Gazment Bardhi

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë


Lajmi kryesor:

4 mln eurot për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen! PS ironizon: U ngjallët?