TIRANË- Deputeti Erion Braçe dhe biznesmeni Anduel Çekrezi nuk kanë pranuar të pajtohen. Socialisti ishte vetë në gjyqin ku është paditur për shpifje nga biznesmeni Çekrezi, pas disa debate mes tyre në rrjetet sociale. Braçe pretendon se Çekrezi se ka zaptuar tokën e fshatarëve në Imshtë të Lushnjes, pranë lumit Seman, për të ndërtuar park FotoVoltaik, ndërsa Çekrezi thotë se tokën e ka blerë.
“Jo nuk u pajtuan se unë besoj se pala tjetër ka bërë një padi përgjithësisht politike, të rreme. S'u pajtuam se ai më parë duhet të marrë leje”, tha Braçe pas seancës, duke nënkuptuar se ndoshta pas tij qëndrojnë persona të tjerë.
Në të njëjtën kohë që Braçe u paraqit për gjyqin për shpifje, në GJKKO po zhvillohej seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. I pyetur nga gazetarët, Braçe tha se proceset gjyqësore apo vendimet e gjykatave nuk duhet të komentohen, por shtoi se prezumimi i pafajësisë dhe barazia në proces janë elementë të rëndësishëm për demokracinë në vend.
“Të gjithë në politikanët, proceset gjyqësore apo vendimet e gjykatave nuk duhet ti komentojmë. Do vazhdoj të bëj të njëjtën gjë që kam bërë deri tani, të mos komentoj as prokurorët e as gjyqtarët. Secili është në pozicionin e vet edhe është në të drejtën e vet. Ajo që po mund të them, që është edhe arsyeja që kam folur shpesh në Parlament ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut, prezumimi i pafajësisë, barazia në proces janë elementë shumë të rëndësishëm për demokracinë në këtë vend”, tha Braçe.
Komente











