Shqiptarja.com ka siguruar ankimin e dy demokratëve Dritan Burgija dhe Arlind Boshku kundër vendimit për përjashtimin e tyre nga grupi i PD në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Në kërkesën dërguar Komisionit të Apelimit në PD, dy demokratët akuzojnë se Flamur Noka, i cili ka firmosur vendimin, ka shkelur statutin e Partisë dhe se nuk ka asnjë bazë ligjore për përjashtimin e tyre.
“Është e pa qartë se ku bazohet Sekretari i përgjithshëm që të ndërmarrë një vendim të tillë ku në asnjë rast ky i fundit nuk ka asnjë kompetencë të përcaktuar në statut”, thuhet në kërkesë.
Burgija dhe Boshku e akuzojnë Nokën se ka qenë në lajthitje në momentin që ka firmosur vendimin. Sipas tyre, Noka ka marrë kompetencat e Kryesisë dhe se kjo vendimmarrje është marrë nga eksitimi i tij për shkak të suksesit të Protestës Kombëtare të zhvilluar më 22 mars.
“Ne kërkuesit jemi të bindur që Sekretari i Përgjithshëm ka qenë në lajthim pasi nuk ka pasur të qartë kompetencat e tij dhe se ka menduar që mund të zëvendësojë kompetencat e organeve kolegjiale apo të Kryesisë së PDSH-së. Ne jemi të bindur që kjo vendimmarrje ka ardhur si pasojë e një lajthimi momental të Sekretarit të Përgjithshëm i cili i eksituar nga suksesi i Protestës Kombëtare të zhvilluar nga PDSH në datën 22.03.2026 ka menduar që mund të marrë kompetencat e Kryesisë apo të Kryesisë së Degëve të PDSH-së dhe vetë ky me gjykimin e tij (i eksituar nga suksesi) mund të vendos se kush do të largohet nga strukturat e PDSH-së.
Akuzat se u përjashtuan se i shërbyen PS-së, dy demokratët i quajnë produkt të fantazisë dhe qëndrim halucinant të Flamur Nokës.
“Në shpjegimet në mediat elektronike Sekretari i Përgjithshëm ka referuar se kjo masë është ndërmarrë ndaj nesh pasi sipas tij është kërkuar nga dega lokale pasi ka pasur informacione që ne kemi kontribuar për kundërshtarin tonë politik në zgjedhjet e parlamentare të 11 Majit 2025. Ky qëndrim halucinant i Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka do të duhet të ishte provuar me anë të provave të qarta dhe relatoheshin në Kryesinë e PDSH-së Dega Durrës ku ne të na pasqyroheshin dhe të mbanim qëndrimin tonë nëse prova të tilla apo pretendime të tilla ishin reale dhe jo vetëm një produkt i fantazisë së Flamur Nokës”, thuhet në shkresë.
Lajmi kryesor:
'Revoltë' pas përjashtimeve/ Demokratët i shkojnë në seli, Berisha i shpërfill! Burgija: Noka shkeli statutin, u eksitua nga suksesi (VIDEO)











