TIRANË- Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur (sot, 18 Dhjetor) të ndihmojë 14-vjeçarin që u plagos në konfliktin e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, më 18 Nëntor, pas një përleshje mes nxënësve, ku humbi jetën fatkeqësisht shoku i tij, Martin Cani.
Pas daljes nga spitali, futbollisti i akademisë së Dinamo City ka pasur nevojë për fizioterapi, teksa familjarët u shprehën se do ta dërgonin edhe jashtë vendit për kurim.
Por tani është ndërmarrë nisma nga FSHF, që futbollisti të trajtohet nga fizioterapistët e ekipit kombëtar, në klinikën e specializuar në “Shtëpinë e Futbollit”.
“Shpenzimet do të mbulohen nga Federata e Futbollit gjatë gjithë trajtimit”, thuhet në njoftimin e FSHF, e cila i uron edhe shërim të plotë futbollistit Luis Meçja dhe ‘rikthim sa më të shpejtë në fushë’.
Për ngjarjen e rëndë ka një 14-vjeçar të arrestuar, që ndodhet nën arrest nga Gjykata dhe dje (17 Dhjetor) Apeli e la në qeli. Krimi i rëndë ndodhi vetëm 200 metra larg shkollës më 18 nëntor, pas përleshjes së tre të miturve, teksa Policia ka mohuar që të ketë autor të dytë të implikuar.