VLORE-Mikel Mehmeti 41-vjeç, që u plagos mbrëmë me armë zjarri në një atentat në lagjen Pavarësia në rrugën e Çipajve është transportuar në Tiranë për ndërhyrje të specializuar në një spital privat. Mehmetin e kanë kapur katër plumba, dy në kofshë, një në bark dhe një në brinjë.

Gazetari i Report Tv Armand Xhelili raporton se pas 6 orëve në operacion në spitalin e Vlorës gjendja e 41-vjeçarit, që dyshohet se ka ndryshuar edhe mbiemrin është e qëndrueshme, por mbetet kritike, pasi i është hequr shpretka.

Mikel Mehmeti mbrëmjen e djeshme dyshohet se u qëllua nga dy persona me breshëri, teksa po udhëtonte me makinën e tij Audi A3 me targa AA 653 VC.

E ndërsa asnjëri nga autorët nuk është arrestuar deri tani, është gjetur makina e tyre e djegur pas atentatit, e cila i kishte targat false, ndërkohë që kishte edhe ndërhyrje në numrin e shasisë. (lexo këtu).

Mehmeti është nga Selenica, dhe njihet si anëtar i bandës së Llanajave. Llanajt njihen për masakrën e Çoles, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj.

Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg. Rruga ku ndodhi ngjarja e mbrëmshme njihet si një rrugë ku kanë ndodhur të tjera ngjarje kriminale, ku e fundit ishte vrasja e biznesmenit Vasil Dervishaj më 7 qershor 2018.